Ballina Lajme Prokurori i Përgjithshëm kërkon gatishmëri për zgjedhjet vendore, hetoni shkeljet penale në...

Prokurori i Përgjithshëm kërkon gatishmëri për zgjedhjet vendore, hetoni shkeljet penale në të gjitha bashkitë

1

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u ka kërkuar prokurorive të rretheve të kalojnë në gatishmëri të përforcuar më datën 14 prill , ditën kur nis zyrtarisht fushata elektorale.

Për këtë arsye ai u ka shpërndarë prokurorive një qarkore ku u jep detyra të përcaktuara përsa i përket hetimit të parregullsive penale apo edhe vëzhgimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve garues si për kryetarë të Bashkive apo edhe anëtarë të këshillave.

Çela u kërkon prokurorive në të gjithë vendin që të shtojnë komunikimin me zyrat e KZAZ-ëve nëpër rrethe dhe të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate optimale, çdo referim dhe/ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor.

Çela kërkon nga prokurorët që për personat që procedohen në shkelje të kërkojnë masa sigurimi sa më të ashpra.

Gjithashtu ai ka urdhëruar hapjen e një rubrike online në faqen zyrtare të Prokruorisë së Përgjithshme për të ftuar qytetarët të kallëzojnë shkeljet e ligjit që kanë dijeni ose që kanë cënuar interesat e tyre si zgjedhës ose të konstatuara prej tyre, në periudhën para zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve.

Në Shqipëri pritet që më 14 maj të zhvillohen zgjedhjet vendore ku qytetarët do të ftohen të zgjedhin kryebashkiakët e tyre por edhe anëtarët e këshillave. Kreshnik Mersnillari

/rtsh/