Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se nuk ka bërë asnjë plan për shpronësimin e banorëve ku banesat e tyre apo dhe tokat preken nga zgjerimi i përroit të Lushnjës.
Në një dalje për mediat kryetari i Degës së PD në Lushnjë, Eduard Sharka tha se “Bashkia dhe qeveria e kanë për detyrim ligjor të bëjnë investime dhe punë publike, por pa i hyrë në hak pronës dhe individit, qoftë edhe për një metër tokë.”.
REAGIMI I PD
Partia Demokratike, dega Lushnje, po ndjek me interes dhe vëmendje zbatimin e projektit të rehabilitimit dhe rikualifikimit të përroit të qytetit, i cili filloi dje. Partia Demokratike vlerëson dhe mbështet këtë projekt, ashtu siç do shprehej me pozitivitet për çdo projekt tjetër të mundshëm në shërbim të qytetarëve. Konstruktiviteti ynë si forcë politike nuk na pengoi të vinim re se, në fjalën e Kryetares së Bashkisë dhe drejtuesit politik të PS për qarkun, Taulant Balla, kishte doza të teprimeve dhe bullizmit politik.
Sipas tyre vetëm Rilindja bën investime të tilla, frymëzuar nga “udhëheqësi shpirtëror”, a thua se nuk janë taksat e qytetarëve, me ose pa parti, që i bëjnë të mundura këto projekte.
Gjithashtu, nuk pamë dhe as dëgjuam detaje rreth projektit, planit të shpronësimeve të tokave, prishjes së ndërtesave, indeksimin sipas vlerës së tregut, apo zgjidhje alternative. U habitëm kur Taulanti i partisë dhe i udhëheqësit, paralajmëroi protesta të qytetarëve me mbështetje politike të partive të opozitës. Mos vallë mendon se forca e pushtetit shtyp çdo të drejtë legjitime që ta siguron Kushtetuta e Shqipërisë? Protestë duhet të ketë nëse ka padrejtësi dhe Partia Demokratike do të jetë në krah të qytetarëve dhe në mbrojtje të pronës dhe ligjit. Në fund, Partia Demokratike garanton taksapaguesit lushnjarë se do të monitorojë hap pas hapi projektin, duke mbrojtur të drejtën kushtetuese të pronës private. Bashkia dhe qeveria e kanë për detyrim ligjor të bëjnë investime dhe punë publike, por pa i hyrë në hak pronës dhe individit, qoftë edhe për një metër tokë. Për të qetësuar Taulantin, pas mbarimit të punimeve do të propozojmë që “përroi i rilindur” i Lushnjës të mbajë emrin e tij ose të udhëheqësit shpirtëror.