Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka prezantuar në Komisionin për Edukimin projektbuxhetin e vitit 2023. Gjatë fjalës së saj, Kushi tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar që të jepen libra falas një përdorimshe nga klasa 1 deri në klasën e 3.
“Klasa e parë e dytë dhe e 3 tekstet shkollore do të jenë një përdorimshe. Për klasën 1,2 dhe 3 kemi gjykuar se është e vështirë dhe joeficente që librat të përdoren përsëri. Në buxhet kemi parashikuar që tekstet do të jenë totalisht falas vetëm me një përdorim.’- tha ministrja.
Më tej ministrja tha se këtë vit është marrë vendimi për të shkurtuar kohën e praktikës mësimore për të diplomuarit për mësuesi.
“Këtë vit kemi marrë vendim për të shkurtuar kohën e praktikës mësimore për të diplomuarit për mësuesi para se të shkojnë në marrjen e licencës, nga një vit në 3 muaj”, u shpreh ministrja.
Sa i takon maturantëve që duan të studiojnë degën e Mjekësisë së Përgjithshme në universitet sipas Kushit, do t’i nënshtrohen një testimi shtesë në formë elektronike.
“Kemi vendosur që për provimet e maturës në programin mjekësi e përgjithshme maturantët të kemi edhe një provim shtesë i cili rrit edhe më shumë meritokracinë dhe transparencën. Do të jetë një provim në QSHA, si provimet e licencave, krejtësisht i automatizuar ku testi korrigjohet menjëherë. Ku edhe rreziku i gabimit, edhe koha edhe shpenzimet e administrimit do të jetë më i ulët. Kjo do të pilotohet me programin mjekësi e përgjithshme që është program më i kërkuar dhe ndërkohë kemi qëllim ta shtrijmë edhe për provimet e tjera të maturës”, u shpreh Kushi.