Ballina Lajme Politike Primaret e “Rithemelimit” të PD-së, në garën për kryebashkiak të Tiranës hyn...

Primaret e “Rithemelimit” të PD-së, në garën për kryebashkiak të Tiranës hyn edhe aktori, Julian Deda

3

Aktori, Julian Deda, do të jetë një tjetër kandidat në Primaret e “Rithemelimit” të PD-së, për të garuar për bashkinë e Tiranës. Lajmi u bë i ditur për mediat nga vetë Deda.

Sipas tij, në 21 vite të rrugëtimit në Tiranë, e ka parë kryeqytetin si kryemundësinë për të gjithë, por ajo- thekson Deda- e ka humbur pak nga pak këtë shkëlqim, “ndërsa rriten kullat e zhduken parqet, e ka tretur ndërsa ngushtohen rrugët e rritet trafiku, e ka shuar ndërsa zhduket diell e rritet smogu, e ka bjerrë ndërsa mblidhen taksa e rritet represioni mbi biznesin”.

 “22 vite më parë erdha në Tiranë, fillimisht si student i Akademisë së Arteve. Tirana ishte shpresa ime për të realizuar ëndrrën për tu bërë aktor dhe unë i’a dola. Që nga ajo ditë e deri më sot, Tirana ka qenë shtëpia ime. Këtu u rrita si djalë, si artist e sidomos si familjar. Tirana më ka dhënë shumë, më dha arsimimin, karrierën dhe sidomos mundësinë për të ndërtuar një familje shembullore për të cilën jam kaq krenar. Më priti pa më paragjykuar, sepse Tirana nuk e lejon paragjykimin. Më strehoi me dashamirësinë e vet pa kërkuar kurrë në këmbim asgjë. Gjithmonë jam përpjekur të bëj ç’është e mundur që të jem një qytetar i denjë i saj dhe i Shqipërisë. Fëmijët kanë humbur mundësinë për të luajtur, prinderit kanë humbur kohën për t‘ia dhënë fëmijëve të tyre, të moshuarit kanë humbur përkujdesjen, Tirana ka humbur buzëqeshjen.

Sot unë jam këtu për te kërkuar një tjetër mundësi para jush, për të kthyer borxhin që unë i‘a kam Tiranës.“- u shpreh Deda.

 Ai ju ka bërë thirrje demokratëve e simpatizantë të PD-së, që mundësinë për të kandiduar si kryebashkiak në Tiranë e kanë ata në dorë me votën e tyre në Primare dhe më pas, të gjithë bashkë, të bindin edhe shumë qytetarë të tjerë të këtij qyteti.

 „Ky qytet prej 8 vitesh qeveriset me dorën e majtë dhe gjërat nuk kanë shkuar aspak mirë. Ne duhet t‘i shtrijmë bashkëqytetarëve tanë dorën tonë të djathë. Sepse ne jemi njerëzit që mes të keqes dhe të mirës, zgjedhim të mirën, mes të gabuarës dhe të drejtës zgjedhim të drejtën. Tirana nuk i‘a ka borxh askujt që të përdoret si „mish për topin“ për agjendat personale politike. Unë besoj se e vetmja agjendë që i duhet Tiranës ështe ajo në shërbim të qytetarëve. Unë besoj se ka ardhur koha që Tirana të punojë për qytetarët e saj, dhe jo vetëm për interesat e një njeriu, apo të një grushti të vogël njerëzish rreth tij. 1 milione banorë janë më te rëndësishëm se interesi personal i një njeriu, dhe një njeri nuk mund të shkatërrojë interesin e 1 milion banorëve. Unë jam njëri prej 1 milionëve që besoj se gjërat mund të ndryshojne dhe duhet të ndryshojnë. Prandaj sot jam këtu para jush për të kërkuar votëbesimin për të ndërtuar një qytet që buzëqesh bashkë me qytetarët e vet. Një qytet që nuk i gënjen qytetarët e vet dhe ku qytetarët e tij nuk lejojnë askënd që t’i mashtrojë paturpësisht. Unë jam Julian Deda dhe sot garoj për Primaret e Partisë Demokratike.“- deklaroi Deda.

 /rtsh.al/