Nisin Primaret e “Rithemelimit” të PD-së në Tiranë, ku në garën brenda partisë marrin pjesë 7 kandidatë. Nga ky proces pretendohet të dalë edhe kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, i cili do të ballafaqohet me 14 maj 2023 me kryebashkiakun aktual të kryeqytetit, Erion Veliaj.
Në këtë Primare përballen kandidatët Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Julian Deda.
Mjeku, Ilir Alimehmeti, në fjalën e tij përpara pjesëmarrësve në takim tha se vjen nga një familje tradicionale e djathtë, pjesëmarrëse aktive e fushatave elektorale dhe se kanë qenë pranë PD-së në çdo hap.
“Afrohem në një moment të vështirë tonin, pasi kemi përballë një regjim që ka gjithçka. Na duhet një antitezë totale ndaj duhet të jemi bashkë, madje edhe të majtë që do ti bëjmë për vete.”-tha Alimehmeti.
Ndërsa kandidati, Gert Bogdani, tha në fjalën e tij të prezantimit se nëse zgjidhet në krye të bashkisë së Tiranës, do të ketë më shumë hapësira të gjelbra, si dhe eleminim të trafikut rrugor nga automjetet.
Sipas tij, Fusha e Aviacionit në njësinë 7, nuk ka qoftë dhe një pemë për të bërë hije.
“Tregu Çam do jetë një ndër atraksionet turistike të Tiranës dhe jo një zallamahi siç është sot. Kur të votoni në 4 dhjetor duhet të mendoni për 14 majin, se cili është kandidati që e mund Erion Veliajn, që e njeh bazën e strukturën e PD-së, si dhe tërheqë qytetarë përtej elektoratit tonë në Tiranë”- theksoi Bogdani.
/rtsh.al/