Ballina Lajme Prezantohet rikandidimi i kryetarit Armando Subashi si kandidati socialist për zgjedhjet e...

Prezantohet rikandidimi i kryetarit Armando Subashi si kandidati socialist për zgjedhjet e 14 majit.

1

Subashi iu është drejtuar banorëve të bashkisë se ata janë kryefjala e gjithë sukseseve të arrira në këto vite. Socialistët fierakë kanë çelur zyrtarisht sot fushatën zgjedhore për bashkinë e Fierit. Në fjalë e tij i deleguari politik i qarkut të Fierit Taulant Balla është shprehur se në këto zgjedhje PS do të fitojë gjashtë me zero për t’i dhënë përgjigjen e merituar Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Balla do të thoshte nga foltorja e takimit se në 14 maj populli i Fierit do t’i rinovojë kontratën kryetarit të bashkisë Armando Subashi. Ai ka shprehur bindjen se rezultati i 14 majit do të jetë shumë më i mirë se ai i vitit 2015, shumë herë më i mirë se ai i vitit i 2019 dhe do të jetë kurorëzimi i një pune shumë të shkëlqyer në dobi të këtij qyteti. “Por mos harroni që Armando ka nevojë të marrë mbështetjen dhe për këshillat bashkiakë,-ka kërkuar Balla. Na duhet që parlamenti vendor i Fierit të jetë me një shumicë të cilësuar socialiste, për të mbështetur të gjitha projektet që bashkia do të vazhdojë të implementojë në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm të kësaj bashkie .

“Na duhet,- ka shtuar Balla,- që Armando Subashi dhe Edi Rama të punojnë së bashku për qytetin e Fierit, ashtu si Fatjoni me Edi Ramën për Patosin, Qerimi për Mallakastër, Majlinda për Roskovecin, Erisleda për Lushnjën dhe Josifi për Divjakë” Që në fillim të fjalës së tij kryetari Armando Subashi ka falënderuar të gjithë komunitetin fierak, që e kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve në punën e tij.

Në fjalën e tij ai ka bërë një pasqyrë të arritjeve të realizuara gjatë këtyre viteve duke u përqendruar sa në qytetin e Fierit, por edhe shpërndarë deri në fshatrat ekstreme të njësive vendore të kësaj bashkie. Ai ka ripohuar sërish se Rilindja Urbane ishte një nga gjetjet e Edi Ramës që ka sjellë shndërrime të thella në jetën e qytetit , por jo vetëm. Kështu, arritje të kësaj rilindjeje, Subashi do të ndalonte në rikonceptimin e qendrës së qytetit dhe investimin e lumit Gjanica duke e kthyer atë në një vlerë të shtuar për qytetin, duke marrë në konsideratë faktin që janë me fat ato qytete që kanë një lum në mes të tyre.

Por për Subashin këto dy investime nuk kanë mbaruar, sepse do të vazhdojë investimi në pjesën e dytë të qendrës me një objekt sportiv të munguar qytetit, ashtu si dhe pas përfundimit të fazës së dytë të investimeve në lumin Gjanica, do të nisë faza e tretë nga ish-shtëpia e oficerëve deri te furrat e bukës. Në arritjet e këtyre viteve Subashi do të ndalej në investimin në parkun e qytetit, fitimin e një galerie arti në vend të ngrehinës së fabrikës së miellit, një teatër modern duke krijuar dy pole artistike shumë me vlerë si për artin vendas ashtu dhe atë të huaj.

Subashi është ndalur në investimet në infrasturkturën rrugore, gjelbërim, ndriçim, ujësjellës dhe deri te korsitë e biçikletave për banorët në qytet. Duke investuar në fasadat e ndërrimeve është bërë e mundur rikthimi i ngjyrave qytetit që të krijonte përshtypjen e të qenit si në Kandahar. Ai është ndaluar në investimet në njësitë administrative në pastrimin e rrjetit të vaditjes dhe kullimit, shtimit të mbjelljes së sipërfaqeve bujqësore, por pjesë e këtyre investimeve kanë qenë objektet arsimore, qendrat shëndetësore social-kulturore.

Ndryshime të mëdha do të ndodhin, ka bërë të ditur Subashi, gjatë katër viteve të ardhshme duke i paraprirë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së standardeve të jetës së komunitetit. Ai ka prezantuar dhe projektet madhore për katër vitet e ardhshme dhe për këtë ai ka kërkuar mbështetjen e komunitetit fierak. Por ai ka përmendur dhe ngritjen e një universiteti në Fier, premtim i dhënë nga kryeministrit dhe që do të realizohet sipas Subashit me qëllim që djemtë dhe vajzat të studiojnë pranë familjeve me kosto të ultë. “Unë jam i bindur që me mbështetjen e kryeministrit Rama, Fieri do të vazhdojë të jetë një model suksesi dhe një qytet që do të vazhdojë të ndryshojë ditë pas dite. Por as unë e as kryeministri, as qeveria nuk mund ta bëjë këtë pa mbështetjen tuaj, pasi ju jeni kryefjala e gjithë këtyre sukseseve.

Sot të gjithë së bashku nisim këtë rrugëtim të ri, por që në të vërtetë është vazhdim i po asaj rruge që projektuam së bashku në 2015. Në këtë takim janë prezantuar gjithë anëtarët e këshillit bashkiak për të cilin qytetarët do të votojnë në zgjedhjet e 14 majit.