Ballina Lajme Presidenti Begaj uron Krishtlindjen: Sa më shumë paqe e begati

Presidenti Begaj uron Krishtlindjen: Sa më shumë paqe e begati

3

Në ditën e Krishtlindjes, Presidenti Bajram Begaj, nga katedralja ‘Ngjallja e Krishtit’, uroi gjithë shqiptarët që të kenë paqe e begati.

Ndërkohë, një mesazh e pati edhe Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, i cili tha se duhet të punojmë me gjithë zemër për përparimin e vendit.

 

Janullatos: “Jemi mirënjohës për presidentin, sepse gjithë këtë periudhë transmeton mesazhin e shpresës dhe dashurisë. Dëshirojmë të punojmë me gjithë zemrën tonë për përparimin e vendit në këtë frymë të krishtlindjes.

Begaj: “Sot është një ditë e veçantë. Dita e Krishtlindjes, erdha për t’i uruar këtë ditë të shenjtë. Kjo është ditë  e dritës hyjnore, sjell shpresë dhe gëzim për gjithë besimtarët dhe shqiptarët. Gëzuar, të kenë sa më shumë gëzime, begati dhe paqe të gjithë shqiptarët”.

Janullatos: “Dashuria dhe shpresa janë bashkë. Gëzuar për shumë vjet”.

Begaj ka vizituar ditën e sotme Katedralen Katolike, ku dha dhe një mesazh urimi për të gjithë kombin shqiptar.

Gjatë fjalës së tij, Begaj ka thënë se kjo është një ditë shprese, frymëzimi, reflektimi dhe drite.

Bajram Begaj: “Sot është një ditë e veçantë. Erdha këtu dhe u takova me Imzot Arjan Dodaj për të ju uruar të gjithë besimtarëve të krishterë “Gëzuar Krishtlindjen”. Kjo është një ditë shprese, frymëzimi, reflektimi dhe ditë drite. Është shpresë për faktin që e nesërmja do të jetë më e mirë dhe frymëzim për ne për të dhënë më shumë dashuri, më shumë solidaritet për të gjithë ata që janë të pamundur, për të gjithë ata që të sëmurë dhe për të gjithë ata që kanë nevojë. Patjetër që është një ditë reflektimi sepse sot në botë ka shumë ngjarje që na trishtojnë dhe duhet patjetër të reflektojmë në këtë ditë Krishtlindje që të lutemi për më shumë paqe, begati dhe prosperitet për të gjithë kombin”.

Në krah të Presidentit Begaj ka qenë edhe Imzot Arjan Dodaj, i cili ka përcjellë një urim për të gjithë kombin shqiptar, si dhe ka falenderuar Presidentin Begaj.

Imzot Arjan Dodaj: “Dëshiroj të falenderoj Presidentin që veçanërisht në kremtimet në festat tona fetare, të të gjitha kulteve në Shqipëri, ai ka aftësinë kaq të butë që të vejë në evidencë mesazhet që përcjell dhurata e fesë, e dialogut fetar dhe harmonisë midis nesh dhe në rastin konkret, të festës së Krishtlindjes që të vejë në dukje mesazhin që Krishti, Princi i Paqes në një kohë kur paqja akoma mungon. Zoti e bekoftë kombin tonë”.