Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar këtë të premte padinë e opozitës për Portin Turistik të Durrësit. Ishin 37 deputetë të opozitës që i kërkuan Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, e marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik me Emiratet Arabe për Portin e Durrësit. Padia u dorëzua në nëntor të vitit 2022 nga Oerd Bylykbashi, i cili e konsideroi Portin e ri të Durrësit “një aferë korruptive”.
Por tashmë, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, s’ka më asnjë pengesë për ndërtimin e projektit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa pritet publikimi i vendimit të arsyetuar.
Marrëveshja për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 11 gusht në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Muhammed Alabbar.
Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi, i kalon në pronësi kompanive. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total.
Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra. Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, me vlerë investimi € 595 milionë euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro. Marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgjat 20 vite.
/rtsh.al/