Policia Rrugore vijon kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore të qarkut Fier, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Kontrollet e shtuara kanë për qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore angazhohen çdo ditë, në akset rrugore në afërsi të shkollave, me qëllim normalizimin e trafikut dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore. Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke përdorur pajisjet logjistike bashkëkohore, nisur dhe nga denoncimet e qytetarëve, për shkelje të ndryshme rrugore: •janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa leje drejtimi; •janë pezulluar 124 leje drejtimi, nga të cilat 121 për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 3 për drejtim të mjetit, nën ndikimin e alkoolit. Policia Rrugore e Fierit apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin e mjetit, nën efektin e alkoolit. Ftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të shpejtë.