Ballina Lajme Policia e Vlorës sekuestron 260 kg kanabis dhe arreston 4 shtetas rumunë,...

Policia e Vlorës sekuestron 260 kg kanabis dhe arreston 4 shtetas rumunë, droga kishte destinacion Greqinë

1

Policia e Vlorës njoftoi të hënën se ka  arrestuar 4 shtetas rumunë të cilët po tentonin të transportonin 260 kg kanabis drejt Greqisë. Në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Camper” në pranga kanë rënë Marius Cimpeanu, Mihaela Cimpeanu, Florin Tucan dhe Andreea Pislaru.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Ermal Muçaj lënda narkotike u gjet ne 2 automjetet kamper, tashmë të sekuestruar që ishin përshtatur për transportim narkotikësh.

Sipas policisë shtetasit rumunë punonin për llogari të trafikantëve shqiptarë. Pesë shtetas shqiptarë janë shpallur në kërkim nga policia.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, për llogari të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, tashmë të shpallur në kërkim, kamufloheshin si turistë, duke marre me qera campera luksozë, dhe të ndarë në dy çifte kryenin trafikimin e lëndës narkotike nga vendi ynë për në Greqi dhe më tej” tha drejtori i i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Ermal Muçaj, sot në  konferencë për shtyp.

Arrestimi u krye paraditen e sotme (13 mars 2023). 

“Gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, në tentativë për të dalë nga territori shqiptar, u gjetën të fshehura në një ndarje të fshehtë dhe të përshtatur artificialisht, në automjet, një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike. Vendet e fshehta të përshtatura u zbuluan në të dy CAMPERAT e sekuestruar” tha Muçaj.

Anëtarë e grupit hiqeshin si turistë dhe duke marrë kampera luksozë  kryenin trafikimin e lëndës narkotike në drejtim të Greqisë, por edhe më tej.