Ballina Lajme Politike Podcast-et e Ramës dhe Berishës, Majko i drejtohet AMA-s: A rregullohen me...

Podcast-et e Ramës dhe Berishës, Majko i drejtohet AMA-s: A rregullohen me ligj?

2

Në Komisionin për Çështjet Ligjore, ku u diskutua për disa ndryshime në ligjin për mediat audio-vizive, deputeti socialist Pandeli Majko ka adresuar një shqetësimin në lidhje me platformat e reja në rrjetet sociale, të quajtura podcast, ku, sipas deputetit, çdokush mund të thotë çfarë të dojë.

Konkretisht Majko u ndal te kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha, të cilët kanë prezantuar podcast-et e tyre, ndërsa iu drejtua përfaqësuesve të AMA-s në Komision duke pyetur nëse ligji parashikon edhe rregullime në këto forma të reja të marrdhënieve mediatike.

“Këto podcastet që po dëgjojmë, zoti Rama do krijojë një podcast të vetin dhe zoti Berisha po ashtu, a janë të rregulluara nga ky ligj, a janë nën rregulloren e këtij legjislacioni? Kam përshtypjen se influenca e rrjeteve sociale po krijon disa zona të reja të ashtëquajtura ekonomike ku mund të flasësh e të thuash çfarë të duash. Ne diskutojmë për të rregulluar disa media të licensuara në një kohë kur tregu i mediave është ridimensionuar falë rrjeteve sociale. Tani ka fuqi AMA të ndërhy apo duhet rregullim tjetër ligjor. Mora shembull dy politikanë që po krijojnë një marrdhënie të re mediatike, por pyetja është a është e rregulluar kjo?”, tha Majko

Përfaqësuesja e AMA-s, Mirela Oktrova u përgjigj se ligji parashikon platforma të mëdha të shpërndarjeve të videove dhe jo individë.

“Bëhet fjalë për platforma dhe bëhet fjalë për platforma të mëdha dhe jo individë, platforma që janë të detyruara në përputhje me shtrirjen që kanë, të rregullojnë marrdhënien e tyre me vetëofruesit ematerialeve audio-vizive, bëhet fjalë për platforma të shpërndarjve të videove”, u shpreh ajo.