Ballina Lajme Pjesëmarrje masive në marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Pjesëmarrje masive në marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

2

Mijëra qytetarë nga të gjitha rajonet e Kosovës po marrin pjesë në marshin solidarizues që po mbahet në Prishtinë, në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-drejtuesve të saj.

Me pankartat “Liria ka emër”, “Nuk mund të gjykoni UÇK-në në emër të popullit, sepse UÇK është vetë popullo”, “Të gjithë ata që harrojnë të kaluarën e tyre janë të dënuar ta rijetojnë atë”, qytetarët bënë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Marshi për drejtësi mblodhi bashkë gjithë skemën politike, shoqërinë civile, personalitete të ndryshme e bashkësi fetare.  Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe ndodhen  në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike gjatë marshimit qytetar në mbrojtje të lavdisë së UÇK-së.