Greqi – Një 15-vjeçar shqiptar është arrestuar në Oropos, pasi ka plagosur me thikë bashkëmoshatarin e tij.
Ngjarja ka ndodhur pak pas orës 19:00 të ditës së djeshme, në një fushë brenda EPAL Oropou, ku pas një debati 15-vjeçari ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur në krahun e majtë.
Ngjarja u pa nga një oficer policie që ishte jashtë detyrës, i cili thirri një ambulancë dhe njoftoi autoritetet.
Kërkimet vijuan deri në gjetjen dhe arrestimin e autorit të mitur, ndërsa u arrestuan edhe prindërit e tij për neglizhencë të mbikëqyrjes së një të mituri.
Sipas informacioneve, sherri mes të miturve ka ndodhur për një xhaketë.
I plagosuri është dërguar në Spitalin e Fëmijëve Aglaia Kyriakou ku i është dhënë ndihma e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën./albeu.com