Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë përfunduar deklaratat e tyre mbyllëse, teksa më 5 prill pritet që të deklarohet edhe ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit.
Gjatë ditës së dytë të gjykimit, trupit gjykues iu drejtuan dy të akuzuarit: Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi.
Mbrojtja e Hashim Thaçit tha se klienti i tyre nuk ka pasur fuqi komanduese mbi UÇK-në, e as nuk ka ushtruar pushtet efektiv si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.
Mbrojtja e Kadri Veselit tha se ndaj tij nuk ka asnjë provë e dëshmitarë që e lidh me krimet e pretenduara në aktakuzë.
Sipas mbrojtjes së Rexhep Selimit, në aktakuzë nuk ka aludime se ai ka urdhëruar ndonjë krim të pretenduar
Gjatë fjalimit para trupit gjykues, ish-eprori i UÇK-së, Hashim Thaçi, tha se ndien keqardhje për të gjitha viktimat dhe sërish u shpreh i pafajshëm.
Thaçi tha se ky gjykim ka shfajësuar atë, UÇK-në dhe popullin e Kosovës me pretendimet për trafikim organesh.
Ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë fjalimit të tij para trupit gjykues tha se ai nuk ka frikë nga drejtësia, por “nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë”, duke shprehur bindjen se në fund të procesit gjyqësor do të dëshmohet pafajësia e tij.