Partia Demokratike, e përfaqësuar nga Indrit Sefa, Sekretar i Çeshtjeve Ligjore dhe Zgjedhore, ka depozituar ankimimin në KAS, ku kërkon shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës së “Partia Demokratike” për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisë vendore.
Kryeminisioneri vendosi sot të mosregjistrojë PD-në në zgjedhje, për faktin se aktet duhen firmosur nga kryetari i dorëhequr Lulzim Basha, pasi ende përfaqëson PD-në juridikisht.
Por PD pretendon se vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është në kundërshtim me ligjin, pasi në zbatim të detyrimeve ligjore si dhe të dispozitave të përcaktuara në Kodin Zgjedhore, brenda afatit ligjor të përcaktuar (jo më vonë se 70 ditë para datës së zhvillimit të këtyre zgjedhjeve), PD ka paraqitur kërkesën, për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë si subjekt zgjedhor dhe dërgimin e dokumentacionit shoqërues të nevojshëm për regjistrimin në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023.
Bashkëlidhur kërkesës për regjistrim janë depozituar aktet si më poshtë:
a) Vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë
b) Emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët; emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë; specimenin e vulës së partisë; logon e Partisë Demokratike (në print dhe elektronikisht); emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; dhe emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në – Shkresa e Partisë Demokratike bashkëlidhur.
c) Deklaratën e angazhimit solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet – Deklarata bashkëlidhur sipas përmbajtjes së miratuar nga KQZ.
d) Autorizimin e Përgjithshëm – Autorizimi bashkëlidhur i Kryetarit të Partisë.
“Pasi kemi parashtruar kërkesën për regjistrim, Komisioneri ka shpallur vendimin, pa kërkuar asnjë sqarim, vlerësim, pretendim apo koment nga përfaqësuesit e përhershëm të partisë politike në KQZ, duke vendosur: “Kthimin për plotësim të dokumentacionit për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023, “Partia Demokratike”, sipas arsyetimit të këtij vendimi. Kundër këtij vendimi u ushtrua ankim nga subjekti kërkues Partia Demokratike, e përfaqsuar nga Enkelid Alibeaj. Kjo kërkesë ankimore u mor në shqyrtim nga KAS i cili vendosi “Mospranimin e ankimit”. Ndër të tjera në vendimin e tij KAS arsyeton se nuk gjen shkaqe ligjore për mosmarrjen e vendimit në përfundim të afatit kohor prej 48 orësh të përcaktuar nga vetë Komisioneri, ndonëse jo pjesë e arsyetimit apo dispozitivit të vendimit, dhe se vendimi për shkak të përfundimit të këtij afati e kishte humbur efektin e tij ligjor. GJithashtu KAS në pjesën arsyetuese të vendimit përcakton se është detyrë e Komisionerit që të përfundojë procesin e vendimarrjes dhe se ky proces duhet të përfundohet brenda afateve të arsyeshme ligjore me qëllim mospengimin e subjektit kërkues Partia Demokratike për përfitimin e afateve për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore. „- thuhet në ankimim.
Më tej nënvizohet se lidhur me “Autorizimin e përgjithshëm” të Kryetarit të Partisë, Komisioneri ka cmuar se atij i mungon qartësia dhe saktësimi i rastit për cështjen e regjistrimit të PD si subjekt zgjedhor. Konkretisht, sipas arsyetimit të Komisionerit formulimi “për regjistrimin në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2023, sipas datës së caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës”, është një formulim që le vend për një formulim të dytë, që mund të konsiderohet edhe krejt i ndryshëm nga formulimi në fjalë.
“Deklarata e angazhimit solemn “për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet”, është nënshkruar nga Nënkryetari z. Enkelejd Alibeaj, sipas autorizimit të shprehur në “Autorizimin e Përgjithshëm të Kryetarit të Partisë”, datë 18 Mars 2022. Sipas vlerësimit të Komisionerit, del qartë që ky detyrimi për kryetarin e partisë nuk është i transferueshëm, apo i delegueshëm tek të tretët, sepse është një akt individual i personit dhe akt ekskluziv i kryetarit të partisë. Dispozita e përcakton qartë që deklarata është përgjegjësi e kryetarit të partisë dhe nëse ligji ty të ngarkon si marrës përgjegjësish, je ti dhe vetëm ti që duhet të përgjigjesh përpara ligjit për mospërmbushjen e asaj përgjegjësie. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin”, është lëshuar Autorizimi i Përgjithshëm datë 18 Mars 2022. Për shkak se dorëheqja e Kryetarit është fakt, edhe pse nuk është pasqyruar në regjistërin e partive politike, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, funksionimi i Partisë Demokratike për aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet vendore realizohet sipas “Autorizimit të Përgjithshëm” të datës 18 Mars 2022.“- thuhet në ankimim.
Sipas shkresës, Autorizimi i Pergjithshem datë 18 Mars 2022, që garanton funksionimin normal të Partisë Demokratike për efekt të zgjedhjeve vendore, për shkak të moszgjedhjes se Kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Shqipërise, dhe nenit 46 të Statutit të Partisë Demokratike, Nënkryetari i zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i PD dhe që ishte i vetmi në detyrë për këtë përgjegjësi, z. Enkelejd Alibeaj, është komanduar të drejtojë Partinë deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri, i cili më pas është i vetmi që ka legjitimitetin për të kërkuar ndyshimet në regjistrin e partive politike dhe regjistrimin e kryetarit të ri.
„Në këtë kuptim, nënshkrimi prej tij i deklaratës së angazhimit solemn është tërësisht i vlefshëm për tu konsideruar si marrje përsipër e përgjegjësive formale, në emër dhe për llogari të Partisë Demokratike.“- deklarojnë ankimuesit.
“Autorizimi i Përgjithshëm” i Bashës
“Unë, Lulzim Basha, me funksion Kryetar i Partisë Demokratike, lidhur me zgjedhjet vendore 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, në përmbushje të kompetencave të Kryetarit të Partisë, autorizoj ushtrimin e tyre nga Nënkryetari i Partisë z. Enkelejd Alibeaj; dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm z. Gazment Bardhi; dhe/ose Sekretari për cështjet ligjore dhe zgjedhore z. Indrit Sefa, lidhur me cështjet e mëposhtme:
Në zbatim të përcaktimeve të ligjit nr. 10019/2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, lidhur me zgjedhjet vendore 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, të autorizuarit si më sipër, kanë të drejtë, të gjithë sëbashku, ose vec e vec:
- Të nënshkruajnë aktet për paraqitjen e kandidatëve të Partisë Demokratike për të gjitha organet e njësive të qeverisjes vendore.
- Të nënshkruajnë deklaratën, në emër dhe për llogari të kryetarit të partisë, ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet, sipas tekstit të deklaratës të përcaktuar nga KQZ-ja. Deklarata e nënshkruar prej tyre konsiderohet si angazhim solemn i ndërmarrë prej meje si Kryetar i Partisë, duke marrë përsipër të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej saj.
- Të nënshkruajnë vetë ose të autorizojnë persona të tretë për të nënshkruar dokumentet për regjistrimin e Partisë Demokratike e Shqipërise (PD) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve; të nënshkruajnë kërkesa ankimore pranë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe Kolegjit Zgjedhor (KZ); si dhe çdo kërkese tjetër që do të nevojitet në organet drejtuese të KQZ ose të autorizojnë persona të tretë për të nënshkruar aktet e mësipërme dhe për përfaqësimin pranë këtyre organeve me tagra të plota pa kufizim për mbrojtjen e interesave zgjedhore të PD sipas Kodit Zgjedhor.
- Të nënshkruajnë vetë ose të autorizojnë persona të tretë për të nënshkruar, depozituar dhe për t’u paraqitur për përfaqësim pranë Komisionit Qendror te Zgjedhjeve dhe organeve drejtuese në kuptim të nenit 12 të Kodit Zgjedhor, pranë Kolegjit Zgjedhor apo pranë çdo gjykate për zgjidhjen e cdo problemi zgjedhor, si dhe pranë të gjitha Komisioneve Zgjedhore për Administrimin e Zgjedhjeve (KZAZ), propozimet e Partisë Demokratike për anëtarë të KQV-ve, anëtarë të GNV-ve, vëzhguesit në KZAZ, KQV, VNV, si dhe korrespondencën tjetër me KQZ-në dhe KZAZ-në përkatëse, pa u kufizuar në të drejtën për të revokuar apo ndryshuar çdo autorizim të leshuar.
- Të nënshkruajnë vetë ose të autorizojnë persona të tretë për të nënshkruar cdo lloj kërkese që nuk është përmendur këtu në kuadër të mbrojtjes së interesave zgjedhore të Partisë Demokratike përpara organeve të KQZ-së, organeve publike, organeve gjyqësore, apo presonave juridikë të tjerë, publikë ose privatë.
- Të përmbushin cdo detyrim dhe përgjegjësi tjetër në zbatim të Kodit Zgjedhor.
Ky autorizim është i vlefshëm derisa të jetë ndryshuar, apo revokuar shprehimisht nga Kryetari i Partisë.”.
/rtsh.al/