Pastrimi i territorit të bashkisë një punë e përditshme dhe me efektivitet Pastrimi i mbetjeve urbane vazhdon të mbetet një sfidë për bashkinë e Fierit edhe pse janë arritur rezultate të kënaqshme në të gjithë sipërfaqen e territorit të saj.
Duke bërë një retrospektivë të situatës mjedisore në këtë bashki me keqardhje konstatohej se në pjesën më të madhe të komunave pastrimi i mbetjeve pothuaj nuk ofrohej fare. Me investimet e kryera me mjete pastrimi, kontejnerë dhe pika grumbullimi u arrit që brenda një kohe të shkurtër, jo vetëm në qytet, por edhe në të gjithë fshatrat të mblidheshin dhe depozitoheshin mbetjet urbane të cilat kishin pushtuar edhe rrugët nacionale të kësaj bashkie.
Duke e cilësuar situatën e pastrimit problematike dhe në këto akse kjo bashki ndërmori aksionin për pastrimin e mbetjeve nga rrugët kryesore. Ky aksion do të çlironte anët e rrugëve të mbushura me mbetje të çfarëdollojshme. Këto mbetje të shpërndara pa kriter dëshmonin një akt të paprecedent ndaj natyrës. Në këtë kontekst ndërgjegjësimi i popullatës dhe kontributi minimal që gjithsecili mund të japë në emër të jetës dhe shëndetit është të mos e ndotin mjedisin.
Duke punuar në mënyrë të programuar dhe me buxhete të përcaktuar në këtë drejtim nga viti në vit ky shërbim erdhi duke u përsosur dhe fuqizuar duke bërë që sot ai të kryhet në të gjithë territorin e bashkisë së Fierit.
Qyteti i Fierit prej vitesh është përballur me një nga gangrenat mjedisore që e ka shoqëruar duke shkaktuar nivele të larta të ndotjes së ajrit dhe sjellë pasoja në shëndetin e qytetarëve. Qytetarët kanë qenë të detyruar të përballeshin me të keqen që ofronte fusha 60-70 vjeçare në të cilën grumbulloheshin mbetjet urbane të qytetit të Fierit.
Në dritaret dhe mjediset e brendshme të tyre depërtonte tymi dhe era e rëndë që shkaktohej shumë herë në vit nga ndezja e qëllimshme e personave të papërgjegjshëm, por edhe apo vetëndezja e materialeve të depozituara aty si pasojë e temperaturave të larta dhe gazrave të shkaktuara nga dekompozimi i tyre. Lidhur me këtë problematikë tepër jetike për shëndetin e banorëve të Fierit ndër vite nuk kanë munguar premtimet e qeverive dhe kryetarëve të bashkisë për t’i dhënë zgjidhje këtij problem, por fatkeqësisht nuk arrihej të ndryshohej kjo situatë.
Nga puna e bashkisë aktuale, nga preokupimi i vazhdueshëm i kryetarit të bashkisë Armendo Subashi, u arrit që edhe për këtë problem të kishte zgjidhje më në fund. Impianti i trajtimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane një investim i qeverisë ka mundësuar që t’i hiqet qytetit kjo gangrenë mjedisore. Qyteti dhe banorët e tij janë shpëtuar nga ai helm që breza të tërë kanë thithur pafundësisht gjatë gjashtë apo shtatë dekadave të fundit.
Sot fusha e grumbullimit të mbetjeve urbane nuk ekziston më. Ajo është kapsuluar e gjitha dhe mbi sipërfaqen e saj janë mbjellë rreth pesë mijë pemë dhe në planifikim të punës në vijim parashikohet dhe mbjellja e tre mijë pemëve të tjera.
Synohet që përmes këtyre investimeve brenda pak vitesh aty do të krijohet një park i gjelbëruar që i duke shtuar shërbime të tjera si dhe elementë urbanë ai do të kthehet ndoshta në një nga zonat më tërheqëse dhe më të frekuentuara të Fierit Por nuk mjafton vetëm puna e bashkisë për pastrimin e mjediseve.
Ndërgjegjësimi i komunitetit për mbajtjen sa më pastër të këtyre mjediseve ka një rëndësi të veçantë në këtë proces. Në qytet banorët duhet të respektojnë pikat e hedhjes së mbeturinave tashmë sipas ndarjes së tyre që në origjinë, ndërsa në komuna përveç mbetjeve familjare, fermerët duhet të kenë sa më tepër kujdes në nxjerrjen e mbetjeve bujqësore në rrugët e komunave dhe fshatrave./Tv Kombi