Pas zërave për largimin e tyre nga spitali Memorial i Fierit ka ardhur reagimi i mjekëve turq.
Përmes një deklaratë, mjekët nga Turqia shprehen se në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve, ata vazhdojnë normalisht punën dhe do vijojnë të qëndrojnë në Shqipëri nëse është e nevojshme.
“Unë kam gati 5 muaj që kam ardhur në këtë spital. Vij nga Stambolli, kemi vijuar punën tonë gjatë gjithë këtyre 5 muajve dhe jemi munduar t’u ofrojmë pacientëve shërbimin më të mirë të mundshëm. Kemi një protokoll që e kanë firmosur të dy shtetet dhe për sa kohë do të ekzistojë ai protokoll ne do vijojmë të vijmë këtu dhe të shërbejmë më së miri për pacientët shqiptarë,” – u shpreh një mjek turk.
Drejtoresha e spitalit memorial Fier, Rudina Degjoni, thotë se stafi turk dhe ai shqiptar vazhdojnë normalisht punën dhe se në bazë të një marrëveshje mes dy vendeve, stafi turk do të vijoj të jap kontributin e tij në spitalin memorial të Fierit.
Në këtë spital në shërbim të pacientëve janë 17 mjekë specialist turq dhe 28 mjekë shqiptarë si dhe në staf prej 156 infermierësh nga të dyja vendet. Nga hapja e tij e deri më sot, në këtë spital kanë marrë shërbim me konsulta, ekzaminime dhe ndërhyrje mbi 60 mijë qytetarë.