Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Apelit, që rrëzoi vendimin e Agron Zhukrit dhe ktheu çështjen për shqyrtim në Shkallën e Parë me trupë tjetër gjykuese, Sali Berisha është paraqitur këtë të shtunë në selinë blu. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Rithemelimi bën me dije se Berisha do të mbledhë Kryesinë, ndërsa pritet që diskutimet të përqëndrohen në vijimin e aksionit të tyre.
Me vendimin e Apelit, vendimi i gjyqatarit Agron Zhukri, që njohu Kuvendin e 11 dhjetorit, tashmë është nul, ndërsa rrjedhimisht tashmë vula, sigla dhe logoja e PD i mbetet Lulzim Bashës, për shkak se zyrtarisht ai është i regjistruar në Gjykatën e Tiranës. Grupimi i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili ka prezantuar tashmë kandidatët e tij për zgjedhjet vendore të 14 majit, ka të drejtë të regjistrohet me logon e PD, por megjithatë mbetet për t’u parë si do të veprohet.
Nga ana tjetër pritet se çfarë do të vendosë edhe Rithemelimi, ndërsa kujtojmë se Berisha ka firmosur një marrëveshje me kreun e PL-së, Ilir Meta për të hyrë në zgjedhje me kandidatë të përbashkër, të përcaktuar tashmë nga procesi i Rithemelimit.
/rtsh.al/