Një ditë pas tragjedisë në Himarë, ku skafi me drejtues policin Arjan Tase përplasi për vdekje një 7-vjeçare, policia e Sarandës ka bllokuar 3 mjete lundruese. Mjetet lundruese që janë parë nga pushuesit në plazhin e quajtur “Gjiri i Lapajve” teksa kryenin manovra të rrezikshme në det janë bllokuar gjatë natës nga policia.
Policia njofton se ka ndëshkuar me 10.000 lekë gjobë 24-vjeçarin me iniciale R.H., pronari i njërit mjet dhe me 20.000 lekë 21-vjeçarin me iniciale R.Ç. që zotëron dy mjetet e tjera. Mjete lundruese janë bllokuar pasi nuk kanë pasur dokumentacionin përkatës.
Motorët e ujit janë kthyer shpesh në rrezik për qytetarët në bregdetin shqiptar.