Shqipëria po prezanton potencialet në turizmin e qëndrueshëm, përmes një axhende të nivelit të lartë në “ITB Berlin 2023”, panairin më të rëndësishëm në botë për turizmin.
Në një postim në Facebook, kryeministri Edi Rama shprehet se vendi po përfaqësohet denjësisht dhe me ofertë serioze turistike në këtë panair turizmi.
“Shqipëria në ITB Berlin, Panairi më i madh i Turizmit në botë, ku më në fund përfaqësohemi denjësisht jo thjesht me natyrën e bukur po me një ofertë serioze turistike, falë punës këmbëngulëse vit pas viti, ndryshimit të imazhit të zymtë të Shqipërisë së deri disa viteve më parë, investimeve publike e private, si edhe një armate dinamike operatorësh turistikë.
Pason në prill Forumi Ndërkombëtar i Turizmit në Tiranë, një bashkëpunim i ministrisë sonë të Turizmit e Mjedisit me Organizatën Botërore të Turizmit, për të cilin biseduam në Berlin edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turismit, Zurab Pololikashvili”, bën me dije kryeministri Rama i cili ndodhet në Berlin.
Nën sloganin “Albania-All you need is here”, promovohen ofertat turistike që synojnë turizmin gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm, ndërsa konfirmohet një interesim mjaft i lartë për stendën shqiptare ku përveç operatorëve më të mëdhenjë turistik në vend merr pjesë edhe një shoqatë agro-turistike.
Gjatë vitit 2022, Shqipëria arriti rekordin historik prej 7.5 milionë vizitorësh të huaj dhe duket se synimi i radhës është turizmi i nivelit të lartë në standarde, i qëndrueshëm dhe përgjatë gjithë vitit.