Ballina Lajme Operacioni ‘Torino’, policia e Tiranës arreston Armant Beqirin

Operacioni ‘Torino’, policia e Tiranës arreston Armant Beqirin

3

Tiranë – Finalizohet nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Torino”.

Policia në Tiranë tha sot se ka vënë në pranga, me qëllim ekstradimi, një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Torino”.

Si rezultat i këtij aksioni u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Armant Beqiri, 40 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë. /noa.al