Odise Plaku: Unë do të jem gjithmonë Odiseu, që ndërton urat e miqësisë.
Prej disa muajsh, vepra “Amber Alert” e dramaturgut shqiptar Odise Plaku po vazhdon të shfaqet me sukses në teatrin “Viktoria” në Athinë të Greqisë. Kjo vepër është shoqëruar me vlerësime maksimale nga kritika profesioniste greke duke u bërë objekt i shumë vlerësimeve në drejtim të veprës teatrale të Odise Plaku, lojës së aktores Georgia Zoi, regjisores Gota Koundouraki, muzikës së Areti Kokkino dhe gjithë stafit të saj.
Së fundi shtypi grek e ka bërë autorin Odise Plaku personazh të tij në intervistën e realizuar nga gazetari Kyriakos Tsikordanos për “greekaffair.new”.
Duke e vlerësuar shkrimtarin dhe dramaturgun Odise Plaku si një bashkëpunëtor të TV Kombit kemi dëshirën e mirë për të përcjellë këtë intervistë për lexuesit tanë.
–Odise Plaku mirë se erdhët në greekaffair.
Për mua është kënaqësi të jem pjesë e bashkëbisedimit së bashku me ju në greekaffair, një medie e cila ka një profil të pasur në tematikë dhe personazhe. Para pak kohësh keni pasur një intervistë shumë të bukur me aktoren time të dashur Georgia Zoi. Është një nder i madh për mua të shpreh mendimet pikërisht në të njëjtën medie, pra në greekaffair. Jam i gatshëm për të bashkëbiseduar për gjithçka pa asnjë hezitim.
–Zoti Plaku e konsideroni veten si një tjetër “Odise që përpiqet përmes Itakës së tij të krijojë ura bashkëpunimi kulturor midis Shqipërisë dhe Greqisë?”
Një pyetje e bukur, me shumë kuptim dhe mesazh të qartë. Kur e shqiptoja emrin tim, isha një fëmijë, që nuk dija cili ishte Odiseja.
Kur vitet shkuan, u rrita, u arsimova e mësova kuptimin e emrit tim, lidhjen e tij me Itakën. Itaka për mua është krijimtaria ime artistike e cila në kuptimin e plotë po arrin të krijojë ura të forta dhe të bukura bashkëpunimi mes dy vendeve tona Shqipërisë dhe Greqisë.
–A mund të bëhet kultura dhe shkrimi ura e një bashkëpunimi të ri mes Shqipërisë dhe Greqisë? Dhe nëse po, si mendoni se do të jeni në gjendje ta bëni atë?
Tashmë është e vërtetuar botërisht që kultura është ura më e mirë e komunikimit mes shteteve. Atë që ndonjë herë nuk mund ta bëjnë politikat shtetërore, përpjekjet e diplomacisë, në mënyrë natyrale dhe shumë të bukur mund ta bëjnë veprat e gjinive të ndryshme. Mund ta bëjnë mesazhet që përcillen përmes tyre. Është bukur kur shikon që kultura lejon njerëzit të kuptohen më mirë përmes veprave artistike, të cilat krijojnë një ansambël vlerash të ngjashme me një simfoni të rrallë, që jehon përmbi zhurmat e jetës së zakonshme. Unë tashmë jam bërë pjesë e këtij misioni duke prezantuar një copëz të krijimtarisë sime letrare dhe dramatike në jetën artistike të vendit tuaj. Unë isha i pranishëm në Greqi për “Amber Alert” dhe stafi i Ambasadëssë Republikës së Shqipërisë jo vetëm e ndoqi premierën e veprës, por ambasadorja Luela Hajdaraga organizoi një takim shumë miqësor me të gjithë trupën realizuese të kësaj vepre. Brenda një kohe të shkurtër në emisionin “Ura” në Radiotelevizion Shqiptar, gazetarja Nilda Baxha, që jeton dhe punon në Athinë, solli në ekran në një emision special dy protagonistet Zoi dhe Koundouraki.
Së shpejti miqtë e mi të teatrit të Amber Alert do të jenë në Shqipëri. Pra, po ndërtohen ura të reja të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, përpos atyre ekzistuesve dhe me mjaft peshë dhe vlerë.
–Z. Odise Plaku do të donim t’ju njihnim më mirë duke shpalosur fillin e jetës suaj që në fillim. Na tregoni diçka për veten tuaj?
Kam lindur në qytetin e bukur të Fierit, pranë të cilit ndodhet qyteti antik i Apolonisë, jam rritur po ashtu në një trekëndësh të kulturës së lashtë, që si duket ka ndikuar shumë me magjinë e tyre në formësimin tim.
Tashmë punoj në Kuvendin e Shqipërisë si shef i botimeve parlamentare, një pozicion që e dashuroj dhe e bëjë me shumë përkushtim pasi kam lidhje dhe kontakt të përditshëm me shkrimin në nivelin akademik. Kam një familje të bukur e cila është qeliza që më jep energji të përhershme, një mbështetje për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e mia në fushën e krijimtarisë. Së fundi kam ndërruar statusin tim, jam bërë gjysh me një nip të mrekullueshëm. Daorsi i vogël është bërë një burim frymëzimi në jetën time të re. Kur ke dhe një motiv më shumë padyshim jeta merr më shumë kuptim dhe zbukurohet me ngjyrat e pranverës.
–Kur dhe si fillon të hyjë shkrimi në jetën tuaj?
Ju më pyesni kur? Unë ju them se më duket sikur kam lindur me laps në dorë. U bënë vite që nuk mund ta kuptojë jetën time pa shkrimin. Fillesat e të shkruarit kanë qenë që në moshë e vogël shkollore, më pas në atë studentore dhe me daljen në jetë. Kanë qenë prindërit e mi, mësuesit e mi që më kanë mbështetur, më kanë orientuar drejt krijimtarisë letrare. Sot ndihem bosh nëse nuk e kryej këtë ritual qoftë dhe me një shprehje të vetme, me pak vargje.
–Nga poezia shqipe, ju konsideroheni si një zë i ri i dalluar, si reflekton e gjithë kjo tek ju, a konsiderohet si një përgjegjësi e madhe ndaj kulturës që i shërbeni?
Poezia për mua është një dashuri e madhe, e vërtetë, që i besoj jetën time, shpirtin tim. Nëse bashkëshortes nuk do t’i rrëfejë të gjitha detajet e jetës sime të përditshme, me poezinë ndodh e kundërta. Asaj i besoj gëzimet, trishtimet, i besoj dhimbjet, lumturinë, i besoj puthjen, përqafimin. Jam i bindur që poezia nuk më tradhton ndaj dhe unë kurrë nuk do të divorcohem nga ajo. Është pikërisht kjo lidhje që ka bërë që poezia ime të jetë e vlerësuar në Shqipëri, por edhe më gjerë. Kam pasur fatin e mirë që poezia ime është përkthyer dhe botuar deri në gjuhën mandarinë, në Tajvan. Zakonisht tema e dashurisë më tërheq, duke krijuar kështu portretin tim në gjininë e lirikës, por janë mesazhet që përcjellë në vargjet e mia ato që e bëjnë këtë poezi të vlerësuar në krijimtarinë shqiptare. Mjaft poezi janë përkthyer dhe në gjuhën tuaj. Ndoshta një ditë do të organizojmë së bashku një mbrëmje poetike. Ja që do ta ndërtojmë dhe një urë të re bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Ishte një ide e çastit.
–Z. Plaku, një nga veprat tuaja, monodrama “Klithma e një nëne të çmendur”, mbetet vepra – libri juaj më i suksesshëm. Na tregoni cilat elemente të këtij libri e bëjnë të dallohet pas gjithë kësaj kohe?
“Klithma e një nëne të marrë” është një ndër veprat e mia më të arrira në gjininë e dramës. Është pikërisht tematika që ajo trajton duke e bërë të jetë jo vetëm jetësore, por edhe të përcjellë mesazhe të fuqishme në drejtim të shoqërisë sonë. Kur e kam shkruar këtë vepër në vitin 2006 kam menduar se tema e trajtuar do të kryente jetën e saj artistike në një kohë të shkurtër. Por jo. Ajo vazhdon të mbetet një vepër e cila duket sikur sapo është shkruar. Trafikimi i qenieve njerëzore doshta ka ndërruar formë, dikur në rrëmbim fizik, sot përmes rrjeteve të pista sociale.
–Cili është procesi juaj çdo herë për të hulumtuar përpara se të shkruani një libër?
Për shumë vite kam ushtruar profesionin e gazetarit si në medien e shkruar dhe në atë televizive. Pikërisht ky profesion më ka ndihmuar që të kem një sy të mprehtë të vëzhgimit të dukurive të jetës sonë.
Kam ditur që të veçojë ngjarjet e përditshme nga ato të veçantat. Kam marrë gjërat më pikante dhe kam krijuar një bagazh jetësor për t’i përkthyer më pas në vepra letrare. Janë pikërisht detajet ato që i kam ngritur në art, që kam krijuar histori, personazhe, që kam përcjellë ide dhe mesazhe të vlefshme që i kanë bërë këto vepra të vlerësueshme nga lexuesit.
–Pse zgjodhët titullin “Klithja e një nëne të marrë”? Dhe si lidhet ai me librin tuaj?
“Klithma e një nëne të marrë” lindi krejt natyrshëm, pa sforco. Nuk humba kohë për ta vendor këtë titull. Ai sikur u shkrua vetvetiu, kur në fund të veprës nëna nuk ikën duke qarë, duke vajtuar, duke u lutur, por duke i ulëritur një shoqërie të sëmurë që lëngon nga plaga e përbotshme e trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime përftimi. Ajo guxoi dhe u përballë me realitetin vrastar, indiferent. Ajo akuzon dhe kërkon drejtësi. Ishte një titull që nuk e ndryshova edhe pse kam punuar gjatë për këtë vepër.
–Cili është mesazhi që dëshironi të përcillni përmes librit tuaj “Klithma e një nëne të marrë”?
Të mos mbyllim sytë përballë plagës të rëndë, të përbotshme, që po kërcënon njerëzimin ,pa marrë parasysh se cila është gjendja e tij shoqërore, i pasur apo i varfër, i shkolluar apo analfabet. Dua të sensibilizojë politikën, drejtësinë, policinë, organizatat jofitimprurëse, njerëzit e çdo moshe, që të punojmë akoma më shumë për të parandaluar, për të shpëtuar fëmijët tanë, por jo vetëm, për të vënë përpara drejtësisë ata që e shkaktojnë këtë dhimbje të llahtarshme në familjet tona, por në mënyrë të veçantë të nënave.
–A mundet një nënë, kur humbet fëmijën e saj të bëhet simbol për pjesën tjetër të botës veçanërisht në këto kohë?)
Më shumë se nëna askush tjetër nuk mund të bëhet simbol për të mbrojtur jetën e krijesës së saj. Nëna është ajo që e lind fëmijën. Nëna është ajo që e mëkon me qumështin e gjirit. Nëna ëndërron për fëmijën e saj, ndaj ajo dhe vetëm ajo mund dhe ka të drejtën për të qenë simbol i luftës për të mbrojturjetën, në mënyrë të veçantë në këtë kohë moderne, por me rreziqe të paimagjinuara më parë përmes botës së internetit. Interneti sot po përdoret për rrugë për trafikimin e qenieve njerëzore dhe në mënyrë të veçantë të fëmijëve të mitur, djem dhe vajza. Një situatë tepër alarmuese dhe e rrezikshme.
–Këto kohë, aktorja e njohur dhe e talentuar Georgia Zoi interpreton në skenën e teatrit Viktoria monologun teatror “AMBER ALERT” nga libri juaj “Thirrja e një nëne të çmendur”. Na tregoni pak për këtë bashkëpunim me zonjën Zoi?
“Klithma e një nëne të marrë” është vepra e parë që unë kam përkthyer në greqisht. Ka qenë një zë i brendshme që më shtynte çdo ditë e më shumë ta përktheja në gjuhën tuaj. Ishte një vepër që të sillte atmosferën e tragjedive të antikitetit grek. Unë kam punuar për shumë vite si mësues i letërsisë. Më kujtoheshin leksionet e marra student rreth letërsisë antike greke. Kjo vepër më sillte ndër mend Hekubën, tragjedinë e saj, forcën e jashtëzakonshme si nënë. Ishte një lidhje mes shpirtrave të nënës, pavarësisht kohëve të ndryshme. Në një komunikim të rastësishëm me mikun tim,gazetarin Nikos Vatopoulos, i prezantova këtë vepër për ta lexuar. E pëlqyer dhe vlerësuar nga ai, filluam të ideonin mënyrën e vënies në skenë të veprës në Greqi. Ai më orientoi te aktorja Georgia Zoi. Kam këmbëngulur që ajo ta lexonte këtë vepër. Nuk u dorëzova. Derisa në një ditë mora një përgjigje që me gëzoi jashtë mase. Më lumturoi. Ishte viti 2018 kur mora premtimin e saj që do ta luante në skenë këtë vepër.
–Pse zgjodhët monologun e veçantë “AMBER ALERT” nga libri “Thirrja e një nëne të çmendur” për t’u interpretuar ekskluzivisht nga zonja Zoi? Çfarë keni parë ndryshe në interpretimin e saj si aktore?
Tani do të tregojë disa detaje më tej përse zgjodha Georgia Zoi si aktore për “Amber Alert”. Kur zoti Vatopoulos më tregoi emrin e saj bëra disa kërkime në Google dhe të dhënat që lexova më goditën dhe më forcuan besimin se isha pikërisht në emrin e duhur. Zoi është një aktore shumëdimensionale. Ajo ditë të aktrojë, të këndojë për jetën, të kërcejë, të ëndërrojë, të luftojë, të qaj, por edhe t’i ulërasë së keqes,pa pasur frikë. Këto më bënë që të mbetesha në këtë emër dhe ndihem i lumtur që kjo vepër më në fund pas gjashtë vjet pritjesh erdhi në skenë. Edhe sikur njëzetë vjet të më duhej të prisja siOdiseu kthimin në Itakë, përsëri kjo vepër do të kishte zërin,frymën, talentin e padiskutueshëm, gjithçka të Gerogia Zoi. Jam me fat, po, po, me fat që kjo vepër mori jetë pikërisht nga loja e saj.
–Si ndiheni kur një nga veprat tuaja vihet për herë të parë në skenën greke?
I lumtur! I gëzuar! I vlerësuar! Ishte një ëndërr që u bë realitet falë një bashkëpunimi të përkryer me Georgia Zoi, edhe regjisoren e mrekullueshme dhe tepër profesionale Giota Koundouraki. Ne kemi komunikuar sikur të njiheshim prej vitesh, sikur të ndanim orët dhe ditët së bashku.Çfarë mrekullie ka ndodhur mes nesh! Kemi qenë të bekuar nga Zoti që çdo kohë kemi pasur një mirëkuptim dhe bashkëpunim artistik në shkallën më të lartë. Ideja e trajtimit të veprës në frymën globale, duke qenë se ky fenomen është një plagë e llahtarshme e përbotshme, më krijoi një lehtësim në shpirt, pasi u largova nga barra e rëndë në shpirt që kjo ngjarje kishte ndodhur në Shqipëri. I jam mirënjohës dy mikeve të mia, të dashura dhe të respektuara Zoi dhe Koundouraki, që i dhanë frymë dhe vështrim botëror kësaj vepre.
–Cilat janë mesazhet që ju vijnë nga Athina për projektin “AMBER ALERT”.
Dua që të jem i sinqertë në çdo fjalë të kësaj interviste. Kur kam ardhur në Athinë për shfaqjen hapëse, më 9 shkurt, kam ardhur mes gëzimit dhe shqetësimit. Vija në atdheun e teatrit. Vija në një botë kritike të cilësisë më të lartë për këtë gjini të artit. Pyetja e madhe që ngrihej në shpirtin tim ishte si do të pritej vepra ime në sytë e shikuesit në teatër. Aq më tepër që Zoi më tregoi që atë mbrëmje do të kishim të pranishëm shumë emra të njohur të artit dhe kulturës greke, aktorë, regjisorë, kritikë.
Ka qenë një mbrëmje e paharruar që do të mbetet gjatë në kujtesën time. Pas shfaqjes për më shumë se një orë në hollin e teatrit “Viktoria” kanë vazhduar bisedat rreth veprës, problematikës, rreth përvojës sime si dramaturg. Ende dhe sot nga Athina më përcillen vlerësime pozitive për “Amber Alert” për lojën e Georgia Zoi, për regjinë e Giota Koundouraki, për muzikën e Areti Kokkino, etj,. Gjithë stafi që ka punuar për realizmin e kësaj vepre është vlerësuar me nota maksimale nga kritika në Greqi. Jam i lumtur që kjo vepër është mirëpritur nga kritika dhe opinioni në vendin tuaj.
–Si e përballoni luftën tuaj të vazhdueshme krijuese?
E pohova që në fillim të kësaj interviste që të shkruarit është bërë pjesë e pandashme e jetës sime. Vazhdoj në çdo kohë që përpos punës sime institucionale të futem në botën e krijimtarisë. E ndjek jetën me dinamikën e saj, me të mirat dhe të këqijat, me gëzimet, shqetësimet, trishtimet për t’i futur në oqeanin e madh të krijimtarisë letrare. Vitet shkojnë e vijnë, por si Odise më duket se kam një burim frymëzimi të pashtershëm. Nuk di çfarë do të mund të më ndalë. Ndoshta dhe nga varri do të shkruaj… Ndoshta poezi dashurie…
–Cila është arritja juaj më e madhe si shkrimtar deri më sot?
Në jetëshkrimin tim si krijues numërohen mbi njëzetë e pesë vepra të letërsisë për fëmijë dhe të rritur në prozë dhe poezi. Jam autor i gati pesëmbëdhjetë veprave dramatike, monodrama, komedi për fëmijë e të rritur. “Klithma e një nëne të marrë” ose “Amber Alert” është vepra ime e parë në gjininë e dramës. Ajo është luajtur në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Së fundi në Greqi. Pra, mund të them se “Amber Alert” është arritja ime më e madhe deri më sot.
–Si njeri dhe si shkrimtar, si reagon ndaj kritikave dhe si mund të ndikojë në punën tuaj të ardhshme?
Të kritikosh me objektivitet është vlerë. Të kritikosh për smirë është krim. Unë jam aq i dëshiruar për kritikën objektive pasi më ka ndihmuar dhe më ndihmon në rrugën time si krijues. E dua dhe kërkoj kritikën profesionale që nga spektatori i thjeshtë e te profesionistët e mirëfilltë. Të mos dëgjosh dhe mos pranosh kritikën mbetesh në ujëra të vetëkënaqësisë. Kjo është zona e vdekjes për një krijues.
–Si e shihni marrëdhënien midis shkrimit krijues dhe medias dixhitale?
Është një problem që merr diskutime të gjera në lidhje me këto dy aspekte. Pozicioni i punës në Kuvendin e Shqipërisë si shef i botimeve parlamentare më bën të kem lidhje të ngushtë me librin e botuar, por edhe me botën dixhitale. Harmonizimi i të dyjave janë vlerë e madhe për njerëzimin pasi media dixhitale krijon një mundësi të madhe në marrjen e informacionit në mënyrë të shpejtë dhe pa shumë shpenzime. Sot nuk të duhet të blesh dhjetë gazeta ose revista për të marrë informacionet që dëshiron. Sot mjafton të kesh internet në celular dhe informohesh në kohë të shkurtër për gjithçka që ndodh në botë. Kështu edhe përmes greekaffair lexova intervistën tuaj me aktoren time të dashur Georgia Zoi.
–Çfarë këshille do t’u jepnit shkrimtarëve të rinj që sapo kanë filluar karrierën e tyre?
Duhet të krijojnë një bagazh jetësor me një sy të mprehtë të vëzhgimit të realiteti tonë të përditshëm. Mos të përtojnë që të lexojnë dhe të lexojnë, të mësojnë të shkruajnë bukur gjuhën e shkuar. Të arrijnë të zotërojnë një fjalor artistik dhe ta vënë atë në jetë në veprat e tyre. Dhe të mos harrojmë diçka me vlerë: duhet të dëgjojnë njerëzit me përvojë, të këshillohen. Të pranojnë kritikën dhe sado e rëndë të jetë ajo nga profesionistët asnjëherë mos të dorëzohen, por duhet të punojnë akoma më shumë.
–Cili është hapi juaj i ardhshëm në karrierën tuaj?
Të rejat në rrugën e krijimtarisë janë të përditshme. Diku pjesëmarrje në një konkurs të poezisë, të tregimit, diku një ftesë për takime dhe diskutime letrare. Këto ditë fillon provat drama “Shtëpia e re” një vepër që trajton temën e hapjes së dosjeve të personave të përfshirë në sigurimin e shtetit, dukuri kjo në vendet komuniste dhe diktaturës. Në Shqipëri ky është një debat i zhvilluar prej vitesh dhe që janë lënduar shumë jetë njerëzish të pafajshëm. Kanë shkuar edhe në pushkatim. Përsëri një formë tragjedie! Por duke iu kthyer urave të bashkëpunimit do të doja të realizoja një dramë në skenën shqiptare me regjisoren Jiota Koundouraki. Jemi në rrugë të mbarë për realizmin e këtij projekti. Them se do të jetë çështje kohe.
–Z. Odise Plaku ju falënderoj shumë për kohën e përkushtuar për të bërë këtë intervistë
Për mua është kënaqësi e madhe që ju patët mirësinë për të zhvilluar së bashku këtë intervistë duke pasur kështu urën tonë të miqësisë dhe bashkëpunimeve në të ardhmen. Besoj se së shpejti do të vizitoni Tiranë dhe vendin tim, që do ju ofrojë mikpritje dhe dashuri vëllazërore. Lidhjet mes dy vendeve tona janë të shumta, të bukura dhe janë të mbushura me mbresa dhe kujtime të paharrueshme. Ju falënderoj miku im, Kyriakos.