U fol gjatë për rikthimin e tij. U ngritën pyetje dhe u hodhën dyshime. Por nga sot pasdite nuk ka më dilema. Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha nis sot pasdite rikthimin në politikë. Ai do të zhvillojë një takim me të rinj. Kjo lëvizje e paralajmëruar vjen pas humbjes së demokratëve në zgjedhjet e 14 majit, dorëheqjes së Alibeajt si kreu i Komanduar i PD-së zyrtare dhe Kryetar i Grupit Parlamentar.
Alibeajn në Krye të grupit e pasoi Gazmend Bardhi, ndërsa PD e vulës do të bëhet gati për procesin e zgjedhjes së kryetarit, të cilin duket se Basha e synon pas më shumë se 1 viti e ca heshtje që kur dha dorëheqjen.
Njerëz pranë tij tregojnë se nga Tirana sot pasdite me të rijtë, takimet e Bashës pritet të shtrihen në të gjithë vendin. Basha pritet të flasë për raportin me Berishën para shpalljes së këtij të fundit Non Grata nga SHBA dhe pas, vendim që solli edhe përjashtimin e liderit historik të demokratëve nga PD.
Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar sot se do të mbledhë grupin e tij parlamentar. Mësohet se mbledhja do të nisë në orën 13:00. Sakaq, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi do të zhvillojë mbledhjen e parë të grupit me fokus ligjin për pagat që pritet të votohet nesër në Parlament.