Ballina Rajoni “Notova për dy orë i rrethuar nga trupat e vdekur të fëmijëve”,...

“Notova për dy orë i rrethuar nga trupat e vdekur të fëmijëve”, dëshmitë tronditëse të të mbijetuarve të tragjedisë

0

Detaje të reja kanë dalë nga tragjedia në Greqi, ku një peshkarexhë me rreth 750 persona u fundos në det.

Deri më tani rreth 500 persona rezultojnë të zhdukur, autoritetet shpëtuan 104 njerëz dhe gjetën 78 trupa menjëherë pas tragjedisë.

Dëshmitarët thonë se 400-700 njerëz ndodheshin në peshkaretën 20-30 metra të gjatë, e cila u përmbys dhe u fundos rreth 50 milje nga qyteti jugor bregdetar i Pylos, ndërsa po udhëtonte nga Libia në Itali.

Një punonjëse sociale greke, e cila kujdesej për disa nga të mbijetuarit, tha për Sky News se ajo kishte dëgjuar se uji kishte mbaruar në peshkarexhë disa ditë para se ajo të fundosej, duke i detyruar pasagjerët të pinin urinën e tyre dhe të thithnin ujë nga frigoriferët që shkriheshin.

Shumë prej tyre janë duke pësuar trauma të rënda mendore.

Ajo kujtoi një të mbijetuar i cili i tha se “për dy orë ai po notonte i rrethuar nga trupat e vdekur të fëmijëve dhe një i ri rreth të 20-tave i cili “donte të bënte vetëvrasje, donte të hidhej në det dhe të vriste veten sepse nuk mundi më”.

Të mbijetuarit janë transferuar në një qendër imigracioni në Greqinë qendrore. Magazina ku ata qëndronin tani po pastrohet dhe agjencitë e ndihmës janë larguar.

Vëmendja e medias është zhvendosur tek zyra e Rojës Bregdetare Helene në portin e Kalamatës, pasi tani po lindin pyetje nëse ata mund të kishin bërë më shumë për të shmangur katastrofën.

Një gazetë greke citoi një burim anonim që pretendonte se një litar ishte ngjitur në varkë rreth tre orë para se ajo të përmbysej.

Ka gjithashtu pyetje se pse nuk u bë asgjë për të shpëtuar të paktën disa nga pasagjerët kur ishte e qartë se anija ishte e mbipopulluar në mënyrë të rrezikshme, me emigrantë në bord dhe për këtë arsye pothuajse me siguri edhe trafikantë njerëzish.

Roja bregdetare ka thënë më parë se ka vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar sepse anija ishte në ujërat ndërkombëtare.

Nëntë burra egjiptianë, të moshës 20 deri në 40 vjeç, janë arrestuar me akuzat për kontrabandë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

 

Top Channel