Ministria për Evropën dhe Punën e Jashtme ka njoftuar se sot është mbledhur komisioni i ekspertëve mes Shqipërisë dhe Greqisë për të bërë mundur arritjen e marrëveshjes për pensionet. Në këtë mënyrë do të hidhej një hap i rëndësishëm për njohjen e viteve të punës që mijëra shtetas shqiptarë kanë në këtë shtet.
“Athinë, u zhvillua me sukses mbledhja e parë e komisionit të ekspertëve Shqipëri -Greqi për çështjet e sigurimeve shoqërore. Diskutimet teknike dhe shkëmbimi i informacioneve është një hap tepër pozitiv në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për arritjen e marrëveshjes në fushën e pensioneve, e cila do të materializojë parimin e mbrojtjes sociale për çdo qytetar i cili ka kontribuar aktivisht në ekonomitë e të dy vendeve tona. “, thuhet në njoftim.