Me pankarta në duar dhe moton “Shqipërisë i dalim zot”, qytetarët janë mbledhur para Kryeministrisë, duke iu bashkuar protestës së thirrur nga Partia Demokratike e Rithemelimit. Protestuesve i është bashkuar edhe kreu i PD-së, zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Nga selia blu, Berisha deklaroi se “revolucioni sapo ka filluar”.
Meta e konsideroi këtë aksion si një “fillim pa kthim”, teksa shtoi se ndryshimi do të ndodhë me “çdo çmim”.
“Ky është një fillim pa kthim, një ndryshim që do ndodhë me çdo çmim, që Rama të ikë një herë e përgjithmonë e një orë e më parë nga zyra e kryeministrit që e përdhosur. Apeli im është të gjithë të dëgjojnë zërin e popullit”, tha Meta.
1500 efektivë jenë në terren për të siguruar mbarvajtjen e tubimit dhe shmangjen e incidenteve. Si pasojë e protestës, disa rrugë jenë të bllokuara në vend, ku nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe të gjitha drejtimet që lidhen me bllokun e rrugës së Elbasanit.
Duke filluar nga ora 10:00 është bllokuar qarkullimi i automjeteve në: Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Opozita kërkon largimin e Ramës nga qeveria, pasi e akuzojnë kryeministrin për lidhje me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal. Sipas opozitës, Rama ka korruptuar McGonigal për të sulmuar opozitës.