Disa nga akullnajat më ikonike në botë që janë pjesë e Trashëgimisë Botërore do të zhduken deri në vitin 2050, sipas një studimi të ri nga UNESCO, i cili nxjerr në pah shkrirjen e përshpejtuar të akullnajave për shkak të ngrohjes globale.
50 vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s janë shtëpia e akullnajave, që përfaqësojnë pothuajse 10% të sipërfaqes totale të akullnajave të Tokës. Ato përfshijnë akullnajat më të larta pranë malit Everest, më të gjatat në Alaskë dhe akullnajat e fundit të mbetura në Afrikë.
Një studim i ri i UNESCO-s tregon se këto akullnaja po shkrijnë me një ritëm të përshpejtuar që nga viti 2000 për shkak të emetimeve të dioksidit të karbonit, të cilat po ngrohin temperaturat. Ata aktualisht po humbasin 58 miliardë ton akull çdo vit dhe janë përgjegjës për gati 5% të rritjes së nivelit të detit.
Megjithatë, studimi nënvizon se është ende e mundur të kursehen dy të tretat e tjera, nëse rritja e temperaturave globale nuk i kalon 1.5°C në krahasim me epokën para-industriale.
“Ky raport është një thirrje për veprim. Vetëm një reduktim i shpejtë i niveleve tona të emetimeve të CO2 mund të shpëtojë akullnajat dhe biodiversitetin e jashtëzakonshëm që varet prej tyre. COP27 do të ketë një rol vendimtar për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve për këtë çështje. UNESCO është e vendosur të mbështesë shtetet në ndjekjen e këtij qëllimi”, tha Audrey Azoulay, Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s.
Përveç reduktimit drastik të emetimeve të karbonit, UNESCO po avokon për krijimin e një fondi të ri ndërkombëtar për monitorimin dhe ruajtjen e akullnajave. Një fond i tillë do të mbështeste kërkime gjithëpërfshirëse, do të promovonte rrjetet e shkëmbimit midis të gjitha palëve të interesuara dhe do të zbatonte masat e paralajmërimit të hershëm dhe reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë.
/rtsh.al/