Të veshur kuqezi, me flamuj dhe pankarta në duar dhe thirrjet ‘O sa mirë me qen shqiptar’, miijëra emigrantë u mblodhën këtë të shtunë në Londër për t’i treguar qeverisë britanike se nuk janë kriminelë. Me këngë shqipe në sfond dhe duke hedhur valle, ata kërkonin dorëheqjen e sekretares së brendshme Suella Braverman për deklaratat e saj ndaj shqiptarëve. Teksa protestonin në urën ‘Westminster’, ku afishuan edhe pankartën ku shkruhej: “Shqiptarët s’janë kriminelë.” Një prej kërkesave të tyre është kërkim falje nga qeveria britanike apo Braverman, deklaratat e së cilës kanë ndikuar te fëmijët pasi i thonë se kanë prindër kriminelë ose vijnë nga familje mafiesh.
Që prej orës 10:30 u mblodhën në Westminster, ku qëndruan për më shumë se 3 orë dhe nën kontrollin e policisë marshuan në rrugët e Londrës për t’iu drejtuar më pas parlamentit britanik. Nuk munguan thirrjet për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre, si dhe deklaratat se janë punëtorë dhe taksapagues të rregullt. Pavarësisht zemërimit dhe zhgënjimit që kishin, ata arritën të ruanin qetësinë dhe të realizonin një protestë paqësore. Megjithatë, në rast se nuk ka reagim, paralajmërojnë protestë tjetër më 28 nëntor.
Përveç atyre që jetojnë në Britani, në mbështetje mbërritën edhe shqiptarë të tjerë nga Zvicra që iu bashkuan kërkesave të tyre për deklaratat e sekretares britanike. Dy prej shqiptarëve të pranishëm në protestë folën nga Londra për Report Tv duke thënë se ka konflikte edhe në vendet e punës ndërsa shton se ndihen të sulmuar nga të gjitha anët.
“Akuzat kanë pasur ndikim te fëmijët. Ka raportime për acarime dhe konflikte nëpër vende të punës. Kur je i sulmuar në çdo anët, një pyetje e lehtë mund të duket provokim. Kërkesat janë të shumta, shumë ka që të kërkohet dorëheqja e ministres, të kërkohet falje nga kryeministrja. Shumica e shqiptarëve punojnë në ndërtim”, tha emigranti Taulant.
“Dihet si ka shkuar situata këto 2 javët e fundit në Britani që janë kundër emigrantëve dhe po bëjnë ekzagjerim të tmerrshëm kundër shqiptarëve. Kemi një atmosferë shumë të mirë. Ende s’kemi filluar të flasim por jemi me parulla anglisht dhe shqip duke i treguar se kush jemi ne, duke nisur nga punëtori i thjeshtë te biznesmenët, profesorët. Kushdo që e ka ndjerë veten të fyer ka ardhur sot. Nuk mund të thonë e kanë pushtuar shqiptarë. Dështimi i emigracionit e ka sjellë këtë”, tha emigranti tjetër, Enkelejd Omi.
Kjo vjen në një kohë kur diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë të nxehta. Braverman, e cila nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj atyre që hyjnë në mënyrë ilegale, është zotuar se do të gjejë një mënyrë që të funksiojë skema e Ruandës. Si kundërpërgjigje, shqiptarët zgjodhën të mblidheshin këtë të shtunë për t’i treguar sekretares britanike që ata janë bashkë, por nuk janë kriminelë.
Në deklaratat e saj, Suella Braverman tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale. Ndaj kësaj deklarate është përgjigjur edhe kryeministri, Edi Rama i cili i konsideroi deklaratat e saj si “britmë në çmendinë”, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.