Ballina Lajme Ekonomi Nga janari, të vetëpunësuarit do të tatohen me 15% për të ardhurat...

Nga janari, të vetëpunësuarit do të tatohen me 15% për të ardhurat nga 0 deri në 14 milionë lekë.

1

Nga janari i viti i ardhshëm, individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të duhet të paguajnë më shumë taksa, në formën e tatimit mbi të ardhurat nga biznesi.

Qeveria ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2023, ku parashikon rritje të ekonomisë me normë 2.6%. Por për vitin e ardhshëm duket se nuk ka ndryshime thelbësore që vijnë nga paketa fiskale.

Një ndryshim i cili parashikohet të jetë në fuqi në janar të vitit 2023 është ai qe prek të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime profesionale dhe që do të tatohen në mënyrë progresive.

Kjo kategori që deri më tani nuk taksohej pasi përfitonte nga lehtësitë si biznes i vogël, për të ardhurat nga 0 deri në 14 milionë lekë nga veprimtaria e tyre do të tatohet me 15%.  ndërsa nëse kalojnë këtë nivel të ardhurash norma e tatimit shkon në 23%. Lista me profesionistët e lirë që do të përfshihen në këtë skemë taksimi do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, pas miratimit të ligjit. Po njëlloj do të tatohen edhe të ardhurat nga biznesi për individët tregtar, pra subjektet e vogla .

Ndërkohë që nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10 milionë lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet.

Shpenzimi i zbritshëm do të aplikohet në masën  60 % të  ardhurave për veprimtaritë prodhuese;  90 % të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë; 70 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual; 60 % të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj, të kësaj natyre; 50 % të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtaritë artizanale dhe atyre zejtare; 30 % të të ardhurave për individët e vetëpunësuar.

Gjithashtu pritet që me ndërhyrjet e reja financat kanë rishikuar edhe pragun për deklaratën vjetore të të ardhurave personale.

Nëse aktualisht detyrimin për dorëzimin e saj pranë Tatimeve e kanë të dypunësuarit dhe individët me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë, tashmë më ligjin e ri kufiri ulet. Sipas formulës së re, do të duhet që të gjithë individët që marrin të ardhura vjetore nga puna më shumë se 1.2 milionë lekë të plotësojnë deklaratën e të ardhurave.

/rtsh/