Nxënësit e arsimit të mesëm do t’i nënshtrohen ditën e nesërme (1 qershor) provimit të parë të Maturës Shtetërore 2023. Mësuesit në të gjithë vendin do të jenë në gatishmëri të plotë që ky proces të jetë sa më i mbarë. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u ka uruar suksese të gjithë maturantëve, ndërsa e konsideroi këtë moment si të shumëpritur.
“Të dashur maturantë edhe pak orë na ndajnë nga provimi i parë i Maturës Shtetërore, një moment i shumëpritur për të gjithë ju, sepse kurorëzoni punën dhe përpjekjet e shumë viteve.
Ju uroj shumë suksese. Kam besim që do të jepni më të mirën dhe nesër do të jeni krenar për veten tuaj, dhe po ashtu do jenë krenar familjet tuaja dhe të gjithë ne”, tha Kushi.
Maturantët do të ulen nesër në banka për t’iu nënshtruar provimit të Gjuhës së Huaj, ndërsa iu mbeten më pas dhe 3 provime të tjera, kryesisht: Gjuha Shqipe dhe Letërsi; Matematika; dhe Lënda me zgjedhje.
Datat për provimet e Maturës Shtetërore 2023 do të jenë:
a) Gjuhë e huaj: 1 qershor 2023;
b) Gjuhë shqipe dhe letërsi: 7 qershor 2023;
c) Matematikë: 13 qershor 2023;
d) Provimi me zgjedhje: 19 qershor 2023.
Provimet e Maturës Shtetërore 2023 fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të Maturës Shtetërore 2023 hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Testi për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore 2023 vlerësohet me 60 pikë maksimale. Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2023, i rijapin provimet në sesionin e dytë.
/rtsh.al/