Ballina Lajme Në mbështetje të Kombëtares, djemtë e heroit Afrim Bunjaku nisen drejt Shqipërisë

Në mbështetje të Kombëtares, djemtë e heroit Afrim Bunjaku nisen drejt Shqipërisë

10

Shqiptaria sot feston! Të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen do të mblidhen mbrëmjen e sotme në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të parë nga afër ndeshjen e djemve kuqezinj, të cilët padyshim do të sigurojnë fitoren e radhës për tu kualifikuar kështu në krye të grupit.

Së bashku me dhjetra tifozë nga Kosova janë nisur drejt kryeqytetit shqiptar edhe dy djemtë e heroit, Afrim Bunjakut, i cili humbi jetën mëngjesin e 24 shtatorit pas sulmit terrorist të serbëve në Banjskë.

 

Prezencën e dy djemve të heroit, Afrim Bunjaku e konfirmon një nga anëtarët e tifogrupit “Tifozat Kuq e Zi”. Gëzim Bajrami, tifozi nga Gjilani me anë të një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale ka publikuar foton me miqtë e tij dhe djemtë e Bunjakut.

“U nisëm sot për festën e madhe të kombëtares tonë. Speciale është festa sonte, por dhe udhëtimi ynë është mbase më i veçanti për ne si TKZ.

Bashkë me ne sot, në festën e kombëtares tonë, janë edhe dy djemtë e heroit të Republikës, Afrim Bunjakut.

Sonte nga të gjitha trojet po bashkohemi në Tiranë. Idealet e heroit Afrim Bunjaku e shumë heronjëve të tjerë që nuk janë më në mesin tonë fizikisht, na bëjnë bashkë.
Përherë krenarë për ta. Përjetësisht me Shqipërinë tonë”, shkruan Gëzim Bajrami.