Ballina Lajme Ndryshimi i qendrave të votimit dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 majit,...

Ndryshimi i qendrave të votimit dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 majit, kreu i KQZ-së: Presim mbi 1.6 milionë votues!

2

Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi pohoi në emisionin “Pa Censurë”, se atij nuk i ka ardhur njoftimi në shtëpi nga bashkia për vendin e votimit dhe numrin e votuesit, por ai beson se fushata e kryer nga KQZ është ndër më të mirat për informimin e zgjedhësve dhe pjesëmarrja do të jetë e lartë.

“Nuk mund te jap një parashikim, por pritshmëria është që kjo pjesëmarrje të jetë më e lartë se 1.6 milionë votues”- u shpreh zoti Celibashi gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë, në RTSH.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2021 morën pjesë 1.66 milionë votues. “Slogani ynë është Voto që të dëgjohesh. Nëse nuk voton, nuk të dëgjon njeri”- tha Celibashi, i cili iu përgjigj edhe shqetësimit të opozitës për ndryshimin e qendrës së votimit për mbi 1 milionë votues.

Komisioneri shtetëror për Zgjedhjet e konfirmoi këtë numër, por ai tha se nuk ka vend për shqetësim. “Nuk ka ndryshime të adresës së vendndodhjes së QV. Ka lëvizje brenda për brenda fraksioneve. Pra, mbetet e njëjta shkollë për shembull, por mund të ndryshojë kati ku ndodhet QV brenda të njëjtës shkollë.”.

Gjithashtu Celibashi tha se ky ndryshim ka ndodhur, pasi listat e votuesve tani hartohen sipas kodit të vendbanimit të votuesit dhe më pas renditen sipas mbiemrit.

Në lidhje me detyrimin e Kodit Zgjedhor për njoftimin e qytetarëve për QV dhe numrin e votuesit nga njësia bashkiake, Celibashi pranoi se ka anomali.

“Nuk e kam iluzionin që çdo zgjedhës është njoftuar. Për hir të së vërtetës nuk besoj se është e mundur që çdo zgjedhës të lajmërohet individualisht. Nga të gjitha bashkitë është raportuar se ky proces është kryer nga 70-100%. Psh, unë nuk jam njoftuar, por di që komshinjtë e mi janë njoftuar”- tha kreu i KQZ-së për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.