Ballina Lajme Politike Ndryshimet në qeveri, Rama s’humbet kohë. I dërgon Begajt emrat e rinj...

Ndryshimet në qeveri, Rama s’humbet kohë. I dërgon Begajt emrat e rinj për dekretim

9

Kryeministri Edi Rama ka dërguar në Presidencë listën me emrat e rinj të ministrave pas lëvizjeve dhe ndryshimeve të reja në kabinetin e tij qeveritar.

Pasi bëri të ditur të gjitha ndryshimet në qeveri gjatë fjalës në Kongresin e Partisë Socialiste Rama nuk ka humbur kohë duke dërguar në zyrën e kreut të shtetit, Bajram Begaj, emrat e rinj të ministrave por edhe të atyre që ka lëvizur brenda radhëve të kabinetit qeveritar.

Ndryshimet në qeveri, kryeministri Rama i justifikoi si një nevojë e rinenergjizimit të qeverisë dhe vetë Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në këtë mënyrë, Taulant Balla u largua nga posti i ministrit të Brendshëm dhe do të marrë detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin që mbahej deri më sot nga Elisa Spiropali. Ndërsa drejtimin e Ministrisë së Brendshme do ta marrë Ervin Hoxha, i cili aktualisht mban postin e kreut të IKMT-së.

Po ashtu, Niko Peleshi është larguar nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, post që do t’i kalojë Pirro Vëngut.

Ky i fundit aktualisht mban postin e Drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit. Peleshi do të marrë drejtimin e Grupit Parlamentar Socialist, duke zëvendësuar Bledi Çuçin, i cili u propozua të marrë detyrën e nënkryetarit të Parlamentit.

Ndërkohë është larguar nga posti i ministrit të Financave Ervin Mete, ndërsa në vend të tij do të emërohet Petrit Malaj, i cili aktualisht mban postin e kreut të Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN).

Nga ana tjetër, vendin e Lindita Nikollës në krye të Kuvendit do ta zërë Elisa Spiropali. Emri i saj u propozua nga kryeministri Rama, i cili kërkoi të gjithë mbështetjen e grupit parlamentar socialist.

Do t’i propozoj Grupit Parlamentar që në një seancë të menjëhershme dhe të posaçme të Kuvendit, t’i japim të gjithë mbështetjen tonë Elisa Spiropalit për të marrë drejtimin e Parlamentit Do të propozoj që Bledi Çuçi të marrë detyrën e nënkryetarit të Parlamentit ndërsa Niko Peleshi drejtimin e  Grupit Parlamentar Socialist. Propozimet për disa ndryshime në qeveri si më poshtë: Ministër shteti për Marrëdhënien me Parlamentin Taulant Balla, ministër i Brendshëm Ervin Hoxha, ministër i Financave Petrit Malaj dhe ministër i Mbrojtës Pirro Vëngu”, tha Rama.

Ndërkaq, pas dorëzimit të emrave pritet dekretimi nga ana e presidentit Begaj të ministrave të rinj dhe atyre që kanë lëvizur brenda kabinetit qeveritar. Pas dekretimit nga Presidenti dhe votëbesimit që pritet të marrin në Kuvend, ministrat do të betohen në Presidencë për të vijuar më pas ushtrimin e detyrës.