Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan mbrëmjen e së premtes për vdekjen e të riut Lear Kurti në duart e policisë. Ata u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Brendshme. Qytetarët kërkuan drejtësi për vdekjen e 32-vjeçarit. “Kupa u mbush”, “Policisë po i ngelin në dorë djemtë shqiptarë”, – ishin disa nga pankartat e tyre. Qytetarët kërkuan zbardhjen e rastit. Më pas ata u zhvendosën përpara kryeministrisë. Aty u ndezën qirinj.
Protestat civile para Ministrisë së Brendshme kanë qenë të përsëritura gjatë muajve të fundit. Në muajin korrik, aty u protestua për vdekjen e Jonadës. Vajza 7-vjeçare u godit për vdekje nga gomonia që drejtonte polici Arjan Tase në plazhin e Potamit në Himarë. Protesta të dhunshme pati për disa ditë edhe në dhjetor të 2020 për vrasjen e Klodian Rashës. Ai u qëllua nga një patrullë pasi kishte thyer orën policore.
Si u vra Lear Kurti
Mbrëmjen e së mërkurës Lear Kurti ishte duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka”. Një një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte, por 32-vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. I riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”. Në njoftimin paraprak AMP tha se gjatë shoqërimit 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore. Për këtë është kërkuar ndihma e urgjencës. Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë.
Sipas njoftimit, nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore.
Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes. Opozita e ka cilësuar këtë një tjetër vrasje shtetërore.