Ballina Lajme Ndihmuan Turqinë në operacionet e shpëtimet pas tërmetit, kthehet ekipi shqiptar, Peleshi:...

Ndihmuan Turqinë në operacionet e shpëtimet pas tërmetit, kthehet ekipi shqiptar, Peleshi: Të gatshëm sa herë të jetë nevoja

1

Ekipi shqiptar që udhëtoi drejt Turqisë për të ndihmuar autoritetet atje në operacionet e kërkim-shpëtimit janë kthyer në Atdhe. Lajmin e ka bërë me dije Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili i shpreh mirënjohjen 3 ekipeve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore.

Peleshi thekson se Shqipëria do të jetë gjithnjë e gatshme dhe solidare për të dhënë kontributin sa herë të jetë e nevojshme.

Krenari dhe mirënjohje pafund për 3 ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuuan përgjatë 11 ditëve në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga dy tërmetet e fuqishme në Turqi. Ata u nisën për t’u kthyer në Atdhe, duke marrë me vete edhe respektin e popullit turk, që njëherësh është vlerësim për Shqipërinë tonë. Të gatshëm dhe solidarë sa herë të jetë nevoja për kontributin tonë!”, shkruan Peleshi.

Ekipi shiqiptar ka qëndruar 11 ditë në Turqi, ndërsa më 15 shkurt u kthyen edhe 12 pjesëtarë të tjerë të grupit të ekip kërkim-shpëtimit shqiptar.

Skuadra e parë shqiptare e kërkim-shpëtimit dhe ndihmës shëndetësore me mbi 50 specialistë, mbërriti në Turqi një ditë pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë.  Më pas, më 8 shkurt, mbërriti në Malatya edhe grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura shqiptare, si pjesë e skuadrës së kërkim-shpëtimit.