Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e ndeshjes, Shqipëri-Moldavi që do të mbahet ditën e nesërme në stadiumin ‘Air Albania’.
Në masat e mara, policia thekson se do të ketë kontrolle të imtësishme për tifozët dhe sportistët dhe pritet të bllokohen disa akse rrugore.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit, plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Moldavisë, që do të zhvillohet në datën 17 qershor 2023, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Shtetit konsistojnë në disa plane:
Eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Moldavisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
Eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;
Kryerjen e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të hyjnë tifozët;
Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës
Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, një rendësi të veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:
Federatën Shqiptare të Futbollit; • Policinë Bashkiake; • Shërbimin Zjarrfikës; • Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë); • Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Gjithashtu, janë vendosur kontaktet dhe po bashkëpunohet edhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Moldavisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 17 qershor 2023, nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara: -bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Presidencës deri te stadiumi; -rruga “Papa Gjon Pali II”; -rruga “Dervish Hima”, nga ambasada e SHBA-së deri te stadiumi; -rruga “Asim Zeneli”, nga ambasada e SHBA-së” deri te stadiumi; -rruga “Themistokli Gërmenji”; -rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i liceut deri te stadiumi; -rruga “Mustafa Matohiti”, nga shkolla “Kosova” deri te stadiumi; -rruga “Jul Variboba”, nga posta deri te stadiumi; -rruga “Gjergj Filipi”; -rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Gardës së Republikës deri te stadiumi; -rruga “Avdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri te stadiumi.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, për zbatimin e rregullave të hyrjes dhe të qëndrimit në stadium, si dhe respektimin e masave kufizuese për qarkullimin, në mënyrë që të sigurojmë mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.
Sigurojmë të gjithë qytetarët për gatishmërinë e plotë të strukturave të Policisë së Shtetit, për të garantuar standardet e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.