Ballina Lajme Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar/ Rama: Gur i çmuar në gjerdanin...

Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar/ Rama: Gur i çmuar në gjerdanin e veprave në Tiranë

1

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në hedhjen e gurit të themelit për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, deklaroi se ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që e kanë projektuar Tiranën si një kryeqytet evropian.

Kreu i qeverisë u shpreh se Teatri i ri Kombëtar nuk do jetë vetëm një destinacion për komunitetin e spektatorëve dhe një vend prodhimi të shfaqjeve për komunitetin e aktorëve, por një vend ku do organizohen aktivitete ndërkombëtare, festivale ndërkombëtare, e do bëhen ballafaqime të teatrove të ndryshëm nga rajoni, Europa dhe bota.

“Ky projekt shkon përtej një Teatrin Kombëtar të mirë për Shqipërinë, ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që praktikisht e kanë nxjerrë Tiranën jashtë vetes dhe e kanë projektuar si një kryeqytet evropian ku bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen edhe të tjerëve. Është shumë e lehtë sot për të bërë një paralele me stadiumin.

Padiskutim ky teatër s’do jetë vetëm një destinacion për komunitetin tonë të spektatorëve dhe një vend prodhimi të shfaqjeve për komunitetin e aktorëve, por një vend ku me shumë probabilitet do organizohen dhe aktivitete ndërkombëtare, festivale ndërkombëtare, ballafaqim të teatrove të ndryshëm nga rajoni, Europa, bota”, tha Rama.

Më tej ,kryeministri u ndal dhe te të gjitha dyshimet që u krijuan me shembjen e godinës së vjetër të teatrit, ku u shpreh se më në fund alibitë se godia e re do të mbetej nën barkun e një kulle, u fashitën.

“Konkretizojmë një histori ecejakesh të gjatë. Nuk besoj se në jetën tënde do kesh më një inaugurim me polici që rrethon vendin e fillimit të punimeve. Ndërkohë ajo që ka rëndësi dhe që është e bukura e kësaj skene është që prefektin e koncertit e kemi këtu me ne, nuk është në anën e atyre që donin të prishnin koncertin. Kjo është historia bashkëkohore e zhvillimit të këtij vendi. Ndërkohë që e kam menduar shpeshherë pse komuniteti i teatrit duke i lënë mënjanë ata të cilët teatrin apo stadiumin apo sheshin Skënderbej, apo të gjitha veprat i kanë parë si platforma për të kërcyer vallen e shpatave të politikës. Komuniteti i teatrit pavarësish bindjeve dhe simpative, kishin një mosbesim konsensual lidhur me këtë proces dhe lidhur me dëshirën dhe vullnetin bashkë me ambicien, për të ndërtuar një teatër të denjë për këtë emër, si Teatër Kombëtar.

Një nga arsyet ishte që për shumë kohë komuniteti i Teatrit Kombëtar u pajtua në pamundësi për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, me inercinë e të jetuarit dhe punuarit në kushtet e vështira që kishte infrastruktura e mëparshme e teatrit.

Patjetër që hyn në mes dhe paragjykimet lidhur me këtë kohë që jetojmë, ku kemi parë shumë skena shqyerje të pronave e shqyerje të pasurive publike në dekada. Vetvetiu u krijua një instinkt vetëmbrojtje se ishte një grackë e madhe dhe Teatrit Kombëtar do ishte thjesht alibi për të bërë një zhvillim me qëllim fitimi dhe do mbetej nën barkun e një kulle. Më vjen mirë që më në fund këto u fashitën. Nuk e heq veten mënjanë se besoj se uniteti i krijuar mes aktorëve lidhej dhe me faktin se unë ja kisha shpall luftën asaj godine qysh në 1998. Kaloi shumë kohë nga ’98 e sot mund të ishin hedhur hapat e nevojshëm dhe ta kishim Teatrin Kombëtar shumë më parë, por besoj se nuk do kishim pasur këtë projekt që kemi sot”, tha Rama.