Ballina Lajme Ndërtimet në tejkalim të lejes, pronarët e truallit nuk do të kenë...

Ndërtimet në tejkalim të lejes, pronarët e truallit nuk do të kenë të drejta mbi pjesën e objektit

0

Pronarët e truallit nuk do të kenë të drejta mbi pjesën e objektit të ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit. Kjo theksohet në ligjin që ka si qëllim rregullimin dhe zbutjen e pasojave sociale e urbane, të shkaktuara nga ndërtimet për qëllim fitimi në kundërshtim me ligjin për të tretët që, në mirëbesim, i cënohen interesat pasurore nga konfiskimi i objekteve për qëllime fitimi të ndërtuara pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, si dhe të komunitetit në përgjithësi.

Pronarët e truallit për pjesën e objektit të ndërtuar në kushtet e lejes, njësia e zbatimit do të zbatojë vendimin e Komisionit mbi pjesët takuese të bashkëpronësisë, sipas kontratës së sipërmarrjes të hartuar përpara noterit dhe të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përpara vendimit të konfiskimit.

“Njësia e zbatimit nuk merr përsipër detyrimet e tjera që lindin nga kontrata e sipërmarrrjes apo çdo aktmarrëveshje e lidhur midis pronarëve të truallit dhe zhvilluesit/ndërtuesit përpara kohës së konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim/ndërtim.”- thuhet në ligj.

Pas daljes së vendimit të Komisionit mbi rregullimin e marrëdhënies ligjore me pronarët e truallit, njësia e zbatimit dhe pronarët e truallit lidhin kontratë të veçantë bashkëzhvillimi/bashkëpunimi në ndërtim, sipas modelit të miratuar me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për drejtësinë dhe ministrit përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore me qëllim rregullimin e marrëdhënieve mes tyre në situatën e re të krijuar nga paligjshmëria në zhvillimin e pronës.

Por, nëse pronarët nuk pranojnë të lidhin kontratën, apo nuk zbatojnë kontratën, sipas kushteve të përcaktuara, brenda 45 ditëve nga njoftimi, njësia e zbatimit  aplikon për marrjen e lejës së re të ndërtimit/përdorimit, duke paraqitur kopje të kontratës me pronarë të truallit apo njoftimin e tyre 45 ditë më parë se të paraqitet aplikimi.

“Në kushtet e pamundësisë së identifikimit, mosmarrëveshjes midis subjekteve, të cilat pretendojnë të gëzojnë të drejtat e pronarit të truallit, apo në kushtet e pamundësisë së komunikimit me pronarët e truallit, njësia e zbatimit merr të gjitha masat për përfundimin/përshtatjen e objektit, duke paraqitur pranë autoriteteve publike gjendjen e pamundësisë së identifikimit/komunikimit/mosmarrëveshjeve mes pronarëve të truallit. Me identifikimin/vënien e komunikimit/zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me pronarët e truallit, zbatohen parashikimet e mësipërme. Pronarët e truallit kanë të drejtën të marrin pjesë në programin e shitjes së objekteve të konfikuara, në cilësinë e subjekteve me të drejtë parablerjeje në kushtet e parashikuara në këtë ligj”- thuhet në ligj.

/rtsh.al/