Ballina Lajme Ndërtesat do kalojnë në vlerësim të ri për riskun ndaj tërmeteve

Ndërtesat do kalojnë në vlerësim të ri për riskun ndaj tërmeteve

1

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 i cili pati pasoja të jashtëzakonshme me humbje jete dhe dëme materiale procesi i rindërtimit mori vëmendjen kryesore pavarësisht kritikave që kanë pasuar mbi transparencën dhe ecurinë. Përpos ndërtimeve të reja një element i rindërtimit ishte edhe ai i përforcimit të ndërtesave me dëmtime më të lehta sipas klasifikimeve të bëra. Qeveria pranon në një dokument se stoku i banesave ka nevojë për një vlerësim të ri risku në rast të ngjarjeve sizmike të ngjashme dhe evidenton si problematikë ndërtimet informale që janë ndërtuar pa zbatuar kriteret e nevojshme. Në periudhën 2023-2027 dokumenti sjell në vëmendje se do të gjejë zbatim një projekt që do të bëjë pikërisht vlerësimin e riskut për stokun e banesave me një kosto rreth 8 milionë euro.

Referuar dokumentit janë disa prioritete që do të ketë projekti “Baza e të dhënave të vetive strukturore të ndërtesave” ku së pari përditësimin dhe korrigjimin e bazës së të dhënave për stokun e ndërtesave informale të ndërtuara pa marrë parasysh risqet natyrore (tërmete, rrëshqitje toke, përmbytje) si dhe ndërtesa të tjera (jo banesore) të vlerësuara si të riskuara nga tërmetet.

Së dyti do të bëhet rivlerësim/vlerësim periodik i sigurisë sizmike të objekteve publike me rëndësi strategjike, si diga, shkolla, konvikte, spitale, objekte të trashëgimisë historiko-kulturore etj., në mënyrë që siguria e këtyre objekteve të garantohet për periudha më të gjata (në qindra vjet).

Së treti rivlerësimi i sigurisë së digave (të mëdha) mbi 20 vjeçare, siguria e të cilave mund të jetë cenuar nga tërmeti i vitit 2019; kjo mund të përfshijë gjithashtu një rivlerësim të stokut të minierave të braktisura dhe të pa rehabilituara, të cenueshme nga aktivitetet sizmike.

Së katërti përditësimi i hartave sizmike, miratimi i hartave të zonave sizmike, rishikimi i kodeve teknike të projektimit në përputhje me standardet e BE-së.

“Rezultati i pritshëm i projektit është krijimi i një baze të dhënash cilësore që përfshin atributet e kërkuara për të gjitha aktivitetet, ku është thelbësore që njerëzit me njohuri dhe përvojë në këtë fushë të punojnë mbi bazat (korrigjimi i të dhënave është problematik). Gjithashtu, baza e të dhënave duhet të lidhet me risqet dhe nevojat e tjera të shërbimeve të ndryshme në nivel vendor dhe shtetëror. Krijimi i bazës së të dhënave është një aktivitet shumë i gjerë që përfshin aktivitete specifike që lidhen me aspektet e ndërtimit, por edhe ndërlidhjen/harmonizimin me bazat e tjera të të dhënave (p.sh. të dhënat kadastrale të përfshira në Sistemin e Përbashkët të Informacionit të Regjistrimit dhe Kadastrës së Tokës dhe baza të ndryshme GIS, statistika…) Baza e të dhënave do të mundësojë adresimin sistematik të riskut si dhe një planifikim më të mirë të kapaciteteve institucionale dhe financiare si dhe minimizimin e kostove të ndërhyrjes “thuhet në dokument, citon Monitor.