Për ndarjen nga jeta e mjeshtrit të madh të pikturës Sali Shijakut do të zhvillohen homazhe në nder të tij. Homazhet janë organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe do të zhvillohen ditën e diel më 25 shtator në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00-12:00.
Edhe politika ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka cilësuar Shijakun ikonë të Tiranës dhe një piktor të jashtëzakonshëm.
“Fort i trishtuar për ikjen e një artisti unik, si Sali Shijaku. Ai ishte ikonë e Tiranës, një piktor i jashtëzakonshëm, që ia kushtoi jetën artit shqiptar. Prehu në paqe miku i përjetshëm i qytetit tonë! Ngushëllime familjes”, thekson Veliaj.
Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi ndarjen nga jeta të Sali Shijakut një humbje të madhe për të gjithë kombin.
“Një humbje e madhe për të gjithë ndarja nga jeta e Nderit të Kombit, artistit të mirënjohur, Sali Shijaku, një nga piktorët më të shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX. Takimet dhe bisedat e ngrohta me të do të mbeten për mua të paharruara, siç do të mbetet galeria e pafund e veprave dhe e monumenteve të tij artistike, që lartësuan kulturën dhe artin kombëtar. Sali Shijaku ishte piktori i njërit prej Heronjve të mi më të dashur, Vojo Kushit. Kishte qenë vetëm 9 vjeç kur ishte zgjuar në mesnatë nga krismat e armëve dhe bombave. Kishte përjetuar edhe si dëshmitar okular një nga ngjarjet më heroike të Luftës Antifashiste, Epopenë e lavdishme të Kodrës së Kuqe.
Nga ajo ditë e 7 tetorit 1942 ai jetonte me atë ngjarje dhe ëndërronte ta përjetësonte Heroin e tij Vojo Kushi. Por kur gjithçka kishte përfunduar censura ia bllokoi pikturën sepse Vojo mbi tank ishte këmbëzbathur dhe pa këpucë. Ndaj i kërkuan artistit t’i “vishte” këpucë Heroit. Por kjo i përmbyste të gjithë veprën Mjeshtrit. Ndaj përsëri ua dërgoi pa ndryshime. “Po këpucët ku i ka?”, e pyeten. “Po a nuk ka thënë Partia që Luftën e bënë këmbëzbathurit”, – u përgjigj me dinakëri artisti. “Ke të drejtë, i thanë, aprovohet”. Kështu mbijetoi tabloja e famshme “Vojo Kushi”, e piktorit tonë të madh, Piktorit të Popullit, Sali Shijaku, për t’ju mbetur trashëgim brezave si një kryevepër e realizuar me mjeshtëri të rrallë që mishëron në art një ngjarje të paharruar të Luftës Antifashiste.
Me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, forcën shpirtërore dhe heroizmin e shqiptarit, vlerat e dashurisë për Atdheun, Kombin dhe Lirinë, si dhe një larmi figurash njerëzore. Ai krijoi një pafundësi veprash e monumentesh artistike madhështore, siç është edhe një tjetër kryevepër e tij, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli. Për të gjitha këto vlera dhe kontribute të jashtëzakonshme, kujtimi i Nderit të Kombit, Sali Shijaku do të mbetet i paharruar dhe trashëgimia e tij artistike gjithmonë e vlerësuar maksimalisht. Ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Shijaku, bashkëpunëtorëve ndër vite dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme! Të prehet në paqen e merituar”, shkruan Meta.
Ngushëllimet i ka shprehur edhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha, ku shkruan se Shijaku i ka lënë trashëgimi kulturës një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo.
“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të piktorit dhe artistit të madh Sali Shijaku. Ai i la trashëgim kulturës tonë një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo. Ikja e tij nga kjo jetë lë pas një zbrazëti për familjen, miqtë dhe admiruesit e artit të tij elegant. Ngushëllime të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë komunitetin e artistëve për këtë humbje të madhe”, shkruan Basha.
Sali Shijaku u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili arriti të krijonte vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980.