Raketa e re e NASA-s e nisi fluturimin e parë drejt Hënës të mërkurën, me tre kukulla për testim brenda në vend të astronautëve. Kjo ngjarje e sjell SHBA-në një hap më afër qëllimit për dërgimin e astronautëve në sipërfaqe të Hënës për herë të parë që nga përfundimi i programit Apollo 50 vjet më parë.
Nëse gjithçka shkon mirë gjatë fluturimit tre-javor, kapsula e ekuipazhit do të sillet rreth një orbite të gjerë rreth Hënës dhe më pas do të kthehet në Tokë në dhjetor.
Pas disa vite vonesash dhe miliarda dollarë shpenzimesh, raketa e Sistemit të Nisjes Hapësinore u nis drejt qiellit, duke u ngritur nga Qendra Hapësinore Kennedy me shtytje prej 4 milionë kilogramësh dhe duke arritur brenda disa sekondave shpejtësinë prej 160 kilometrash në orë. Kapsula Orion ishte e vendosur në pjesën e lartë dhe, më pak se dy orë pas nisjes së fluturimit, doli nga orbita e Tokës në rrugën drejt Hënës.
“Është një ditë e mrekullueshme”, tha administratori i NASA-s, Bill Nelson.
Nisja drejt Hënës u bë pas problemeve që zgjatën gati tre muaj shkaku i rrjedhjeve të karburantit. Pasi ishte kthyer brenda mureve shkaku i uraganit Ian në fund të shtatorit, raketa u la në ambient të hapur përderisa uragani Nicole goditi disa pjesë të SHBA-së javën e kaluar. Edhe pse erërat e fuqishme shkaktuan disa dëme, menaxherët dhanë dritën e gjelbër për nisjen drejt Hënës.
Rreth 15.000 njerëz u grumbulluan rreth vendit ku do të bëhej nisja, ndërsa mijëra të tjerë zunë plazhet dhe rrugët përreth, për të qenë dëshmitarë të kapitullit të dytë të shumëpritur të programit Apollo, kur 12 astronautë kishin shkelur në Hënë gjatë viteve 1969 dhe 1972. Turma njerëzish u grumbulluan edhe afër selive të NASA-s në Hjuston dhe Alabama, ku nisja e raketës po shfaqej në ekrane gjigante.
“Për gjeneratën e Artemisit, kjo është për ju”, tha drejtoresha e këtij projekti, Charlie Blackwell-Thompson, duke iu referuar të gjithë atyre që kanë lindur pas përfundimit të programit Apollo.
Nisja e kësaj rakete shënoi fillimin e programit të NASA-s për eksplorimin hënor, Artemis, të emëruar sipas motrës binjake mitologjike të Apollonit. Agjencia hapësinore synon të dërgojë katër astronautë rreth Hënës në fluturimin e radhës në vitin 2024, si dhe të zbarkojë astronautë atje në vitin 2025.
“Ju keni fituar një vend në histori”, i tha Blackwell-Thompson ekipit të saj, pas nisjes së raketës.
Kjo është raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga NASA, me më shumë shtytje se anijet kozmike apo raketa e fuqishme Saturn V që çoi njerëzit në Hënë. Një seri rrjedhjesh të karburantit të hidrogjenit ia pamundësuan asaj nisjen gjatë verës. Ndërsa, një rrjedhje e re u shfaq gjatë furnizimit me karburant të martën mbrëma, por një ekip urgjence arriti të shtrëngonte valvulin që shkaktoi defektin.
“Raketa është e gjallë. Po kërcet. Po bën zhurma. Është goxha e frikshme. … Zemra ime rrihte fort. Nervat po më lëshonin”, tha Trent Annis, një nga tre personat që hynë në zonën e rrezikut për ta rregulluar rrjedhjen e së martës mbrëma.
Kapsula Orion pritet të arrijë në Hënë deri të hënën, më shumë se 370.000 kilometra larg nga Toka. Ky fluturim testues, që kushtoi 4.1 miliardë dollarë, pritet të zgjasë 25 ditë – pothuajse aq sa kur të ketë edhe njerëz në ekuipazh.
Agjencia hapësinore dëshiron ta shtyjë raketën deri në limitet e saj që të zbulojë çfarëdo problemi që mund të ketë para se astronautët të futen brenda. Kukullat e vendosura brenda tani janë të pajisura me disa sensorë që llogarisin disa gjëra si dridhjet dhe rrezatimin kozmik.
Raketa ishte planifikuar të nisej fillimisht në vitin 2017. Sipas vlerësimeve, NASA pritet t’i shpenzojë 93 miliardë dollarë në këtë projekt deri në vitin 2025. Qëllimi përfundimtar i NASA-s është të ketë një bazë në Hënë dhe të dërgojë astronautë në Mars në fund të viteve 2030 ose në fillim të viteve 2040.
Por, ka ende shumë pengesa që do të duhet të kalohen. Kapsula Orion do t’i dërgojë astronautët vetëm në orbitën hënore, por jo edhe në sipërfaqe të saj.
NASA ka kontraktuar kompaninë e Elon Musk, SpaceX, për ta ndërtuar anijen Starship, versionin modern të zbarkuesit hënor të Apollos. Ky zbarkues do t’i dërgojë astronautët nga Orioni në sipërfaqen hënore dhe anasjelltas, të paktën gjatë udhëtimit të parë të vitit 2025.
Duke përsëritur një argument që ishte bërë edhe gjatë viteve të 60-ta, historiani i Universitetit amerikan Duke, Alex Roland, vëri dyshim mbi rëndësinë e vendosjes së njerëzve brenda këtyre raketave, duke thënë se robotët dhe anijet kozmike të drejtuara me telekomandë mund ta kryejnë punën më lirë, më sigurt dhe me më efikasitet.
“Në gjithë këto vite, nuk ka asnjë dëshmi që e arsyeton investimin që e kemi bërë në udhëtime kozmike me njerëz – përveç prestigjit që përfshihet nga ky konsum i dukshëm”, tha ai.
NASA po pret deri në fund të këtij fluturimi testues para se t’i bëjë publikë emrat e astronautëve që do të jenë në ekuipazh në nisjen e radhës drejt Hënës dhe të atyre që do t’i ndjekin hapat e astronautëve të Apollo 11, Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin.
Shumica prej 42 astronautëve dhe 10 praktikantëve aktual të NASA-s lindën pas përfundimit të programit Apollo, që mbush 50 vjet muajin e ardhshëm.
Në listën e ngushtë të NASA-s për fluturimin drejt Hënës është edhe astronautja Kayla Barron, 35 vjeçe, e cila u bë dëshmitare për herë të parë e lansimit të një rakete, përjashtuar atë të saj një vit më parë.
“Ma mori frymën dhe u përlota”, tha Barron. “Çfarë arritje e mrekullueshme për këtë ekip.”/REL