Ballina Lajme Myslimanët kremtojnë sot Fiter Bajramin, mijëra besimtarë mbajnë faljen e namazit në...

Myslimanët kremtojnë sot Fiter Bajramin, mijëra besimtarë mbajnë faljen e namazit në sheshin “Skënderbej”

1

Mijëra besimtarë kanë mbushur mëngjesin e ditës sotme sheshin “Skënderbej” ku u organizua ceremonia e faljes së namazit të Fitër Bajramit në Tiranë.

Me rastin e kësaj ditë shumë të rëndësishme në kalendarin fetar mysliman, mijëra besimtarë shqiptarë edhe këtë vit kanë kryer ritualin e faljes së namazit në sheshin “Skënderbej”, e cila filloi në orën 06:15 me leximin e Kuranit prej imamit të xhamisë së Et’hem Beut Elton Karaj dhe vazhdoi me ligjërata, faljen e namazit dhe hytbe.

Fitër Bajrami shënon edhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Kryetari i KMSH-së Bujar Spahiu, i cili mbajti dhe faljen e namazit, uroi të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë dhe bëri thirrje për më shumë solidaritet dhe angazhim për adhurimin e Zotit.

“Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, por i bukur. Unë personalisht dhe institucioni që drejtoj, jemi krenarë për historinë tonë. Jemi krenarë për paraardhësit tanë në këtë shekull. Ne i kemi dhënë dhe vazhdojmë t’i japim kësaj shoqërie, këtij kombi vlerat më të larta e më të sinqerta. 

Falë besimtarëve dhe drejtuesve të besimeve në Shqipëri ne i kemi kontribuar këtij kombi një nga vlerat me të cilat krenohemi të gjithë, kudo, harmoninë dhe dialogun ndër fetar. I tillë do të vazhdojë ky kontribut edhe në të ardhmen me lejen e Zotit.

Për të patur vazhdimësi kjo vlerë e komuniteteve fetare, duhet që çdo komponent i shoqërisë tonë të kujdeset për të mbrojtur meritën dhe ta shpërblejë atë kudo që ajo ndodhet”, tha kreu i KMSH.

Radio Televizioni Shqiptar uron të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për Fiter Bajramin. Qoftë ky një vit sa më i mbarë.

/rtsh.al/