Dhurata një vajzë e re pjesë e publikut të emisionit e “E diela Shqiptare” ka rrëfyer historinë e jetës së saj të vështirë. Babai i saj, një ish-i burgosur për 30 vite për një vrasje, u dashurua me nënën e vajzës, e cila asokohe ishte 24 vjeç dhe vuante nga depresioni.
Kur erdhi në jetë Dhurata, prindërit nuk kishin mundësi ta mbanin dhe e lanë në maternitet vajzën e tyre të vetme dhe fëmijën e tyre të parë. Dy vite më vonë, lindi vëllai i vogël i Dhuratës, i cili po njësoj si e motra, ndenji në spital e më pas u dërgua në jetimore. Kur kujton kohët në jetimore, Dhurata nis të dridhet e të lotojë.
Jeta në jetimore e Dhuratës ka qenë traumatike, ajo nisi të ndryshonte sapo u largua kujdestarja që e dhunonte. Së bashku me vëllain, për 4 vite, Dhurata vuajti nën një tutelë dhimbjeje e terrori.
Deri në moshën 18-vjeçare, me shumë përpjekje, Dhurata mundi të qëndronte në jetimore, por më pas duhej të largohej patjetër. Zgjidhja që i erdhi ishte të qëndronte me prindërit e saj, të cilët e braktisën qëkur lindi duke e lënë në maternitet. Përgjatë viteve ata e vizitonin, por Dhurata nuk kishte kurrfarë ndjesie për njerëzit që e kishin sjellë në jetë. Megjithatë, u detyrua të shkonte në shtëpinë e tyre, thotë me një buzëqeshjeje, pas të cilës lexohet dhimbja.
Rrëfimi i Dhuratës
Dhurata: Babai im ka bërë 30 vjet burg sepse kreu një vrasje. Doli nga burgu dhe u njoh me mamanë time, Dianën. Ajo ishte 24 vjeçe.
Ardit Gjebrea: Pra mamaja ishte 24 vjeçe, ndërsa babai?
Dhurata: Ai ka qenë më i madh në moshë.
Ardit Gjebrea: Sepse kur e kreu vrasjen sa vjeç ishte?
Dhurata: 20 vjeç.
Ardit Gjebrea: Dhe 30, i bie 50 vjeç, kështu që i bie gati 26 vjeç diferencë me mamin. Si u njohën?
Dhurata: U dashuruan me shikim të parë, pavarësisht se mamaja ime ishte e sëmurë.
Ardit Gjebrea: Çfarë kishte?
Dhurata: Depresion.
Ardit Gjebrea: Babi çfarë tipi ishte?
Dhurata: Nuk e kam njohur.
Ardit Gjebrea: Ah, ti nuk e ke njohur babin.
Dhurata: Fare. Ndjesë. Nuk kam jetuar fare.
Ardit Gjebrea: Po ti kur linde, vajte në shtëpi?
Dhurata: Jo.
Ardit Gjebrea: Po ku ndenje??
Dhurata: Në spital.
Ardit Gjebrea: Në maternitet?
Dhurata: Po. Nuk kishin mundësi të më mbanin.
Ardit Gjebrea: Ti ishe vajzë e vetme?
Dhurata: Po. Isha fëmija i parë.
***
Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote aty, ma trego pak?
Dhurata: Me kujdestaren e parë që kam pasur, nuk ka qenë e mirë.
Ardit Gjebrea: Pse?
Dhurata: Kam pasur dhunë. Kam fjetur në tualet.
Ardit Gjebrea: Po pse nuk tregoje?
Dhurata: Po se na rrihte. Edhe kur kam lajmëruar drejtorin nja dy herë, kisha frikë t’i tregoja sepse kur ikte drejtori, vazhdonte avazin.
Ardit Gjebrea: Po mami me babin vinin të të shikonin ndonjëherë?
Dhurata: Vinin më shikonin, por ka pasur raste që nuk i dilja.
Ardit Gjebrea: Pse?
Dhurata: Po se s’i doja.
Dhuna nga kujdestarja vazhdoi nga klasa e parë deri në të katërtën për Dhuratën, por gjithçka ndryshoi gjatë pushimeve verore dhe për të ishte dita më e lumtur.
Dhurata: Ishim në shkollën e Marinës, bënim plazh dhe u ankuam te dy drejtorët e institucionit dhe ishte moment më i bukur i jetës time kur e larguan..
***
Ardit Gjebrea: E thua me një lloj buzëqeshjeje. Ishte e lumtur jeta me babin?
Dhurata: Tmerr. M’u shemb bota. Nuk kishte kushtet siç isha rritur.
Ardit Gjebrea: Pra, ti ishe më mirë në atë institucion sesa në shtëpi me babin?
Dhurata: Po.
Ardit Gjebrea: Si sillej babi me ty?
Dhurata: Më dhunonte. Siç sillej me mamin, që e mbante mbyllur, më mbante dhe mua.
Ardit Gjebrea: Pra ishit të dyja të mbyllura në shtëpi?
Dhurata: Po. Saqë merrja në telefon, kam pasur telefon sepse edhe studioja kur isha te prindërit sepse s’doja të shkëpusja studimet dhe nuk i shkëputa.
Ardit Gjebrea: Mami u shërua apo vazhdonte e sëmurë?
Dhurata: Jo, vazhdon akoma. Pavarësisht se babai ka ndërruar jetë, nuk jeton më.
Ardit Gjebrea: Dhuna e babait me siguri ka ndikuar edhe në shëndetin e mamit, apo jo?
Dhurata: Po.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti, jo vetëm që shikoje dhunën e babait ndaj nënës, por edhe ti vetë dhunoheshe.
Dhurata: Po.
Ardit Gjebrea: Cili ishte motivi që një baba mund të dhunojë një vajzë?
Dhurata: Se donte gjatë gjithë kohës që ta laja, ta pastroja, të kujdesesha për të, kupton? Unë nuk e ndieja.
Ardit Gjebrea: Shiko që të kujdesesh për prindin nuk është keq.
Dhurata: Nuk është keq, po kur ka qenë ai për mua kur kam pasur unë nevojë? Prind nuk është ai që të lind, prind është ai që të rrit./tvklan./