Po vjen drejt përmirësimit situata në disa qytete dhe fshatra të vendit, të prekura si pasojë e motit të keq. Ministria e Mbrojtjes informon se në të gjithë vendin ka një përmirësim të situatës, ndonëse disa akse rrugore vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e reshjeve të dëborës dhe ngricave, për shkak të temperaturave të ulëta.
Bëhet e ditur se po punohet për zhbllokimin e aksit rrugor Bogë-Theth, Qafë Thore-Theth, Dushaj-Lekbibaj, ndërkohë që janë dërguar ndihma për familjet në 4 bashkitë e prekura nga tërmeti që ra më 15 janar në Dibër.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes, në të gjithë territorin e vendit ka patur përmirësim të dukshëm të situatës që u krijua gjatë këtyre ditëve nga moti i keq.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp bëhet e ditur se nuk ka banesa nën ujë në Shkodër e Lezhë, por forcat e emergjencave civile, të ndihmuara edhe nga efektivë të FA po qëndrojnë pranë banorëve në zonat, ku ka patur kërkesë për ndihmë.
“Po punohet me borëpastruese nga firmat kontraktore dhe ARRSH për zhbllokimin e disa akseve në veri të vendit, në Bogë-Theth, Qafë Thore- Theth, Dushaj-Lekbibaj dhe kriposjen e disa akseve ku ka prani bore. Në të gjitha akset rrugore kombëtare qarkullimi është i lirë. Janë dërguar ndihma nga Rezervat e Shtetit si: ushqime, batanije, e çadra për familjet në 4 bashkitë e prekura nga tërmeti i 15 janarit në qarkun e Dibrës.”- njofton ministria e Mbrojtjes.
/rtsh.al/