Nuk janë të pakta rastet tashmë në qarkun e Fierit të fermerëve dhe blegtorëve që kërkojnë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në zonat ku jetojnë. Tashmë zhvillimi i blegtorisë është shndërruar në një tendencë për shumë familje të cilat kanë krijuar fermat e tyre. Një prej tyre është dhe ferma blegtorale e Bajame Gllavës në Roskovec e cila së bashku me dy djemtë e saj duke u marrë me blegtori kanë vendosur të mos largohet nga Shqipëria, por të shtojnë më tej aktivitetin në fermën e tyre.
Ashtu si shumë fermerë dhe blegtorë kanë nisur një aktivitet minimal, por me vështirësi që i kanë shoqëruar kryesisht këtë natyrë biznesi. Ata e kanë nisur këtë sipërmarrje rreth 20 vjet me vetëm me tre krerë lopë. Vit pas viti me financimet e tyre kanë bërë të mundur që sot në fermën e tyre të mbarështohen 16 krerë lopë nga të cilat merren 300 litra qumësht tregu i të cilave është i siguruar pasi është fakt që në këtë qark ka një numër njësish të përpunimit të qumështit. Sigurimi i tregut të sasive të qumështit është një problem i zgjidhur dhe jep një shtysë për zhvillim të mëtejshëm të kësaj sipërmarrje.
“Gjithçka që kemi sot e kemi falë punës dhe mundit tonë. Shërbimi ndaj blegtorisë kërkon përkushtim dhe shumë punë, nuk kemi kërkuar ndihmë nga shteti, por sot e ndiejmë se duhet për të zgjeruar këtë aktivitet ka thënë blegtorja. Duam të shtojmë jo vetëm numrin e krerëve dhe racave në lopë, por edhe për ngritjen e një stalle moderne. Sot është e vështirë për ta realizuar këtë, ndaj kërkojmë edhe ndihmën e shtetit.”-shprehet Bajame Gllava. Tashmë ky është një biznes familjar në të cilin ajo ka të përfshirë dhe dy djemtë e saj.
Ata kanë zgjedhur të mos emigrojnë por të punojnë e ta ndërtojnë jetën e tyre në vendlindje dhe të punojnë në fermën që kane ngritur, por tani kërkojnë edhe një ndihme për shtimin dhe fuqizimin e kësaj ferme. Por si duket ata nuk kanë informacion të plotë në lidhje me skemën e subvencioneve të qeverisë në drejtim dhe të zhvillimit të blegtorisë. Përmes aplikimeve në këto skema dhe ata mund të jetë në radhën e përfituesve për zhvillimin e blegtorisë.
/Tv Kombi/