Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë fjalës së saj në parlament është ndalur tek rritja e pagave të mësuesve dhe pedagogëve, duke bërë një krahasim me vendet e rajonit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë fjalës së saj në parlament është ndalur tek rritja e pagave të mësuesve dhe pedagogëve, duke bërë një krahasim me vendet e rajonit. Kushi theksoi se vitet e fundit qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme, rrënjësore, të guximshme në të gjithë sektorët.
Rritjen e pagave ajo e konsideroi si një nga reformat më historike që prek administratën publike, sektorin e arsimit, shëndetësisë, forcat e armatosura, policinë e shtetit, etj.
Kushi është ndalur te pagat e mësuesve dhe pedagogëve.
“Të gjithë biem dakord që ata janë të parët që duhet të vlerësohen sepse rritja e pagave për ta është padyshim shpërblim për dijen, sakrificën, përkushtimin dhe kontributin që ata japin në shoqëri. Për pedagogët rritja e madhe e pagave ka filluar që nga data 1 prill e këtij vitit. Ne kemi punuar intensivisht në MAS gjatë këtyre ditëve për të grumbulluar informacion edhe nga vendet e tjera të rajonit për të bërë krahasime, sepse për fat të keq edhe për mësuesit edhe për pedagogët për shumë vite Shqipëria ka qenë në vendin e fundit të tabelës dhe sot, ja ku jemi” – nënvizoi ministrja
Ministrja Kushi nëpërmjet disa tabelave grafike tregoi se tashmë Shqipëria ngjitet në një nivel tjetër pagash dinjitoze për mësuesit dhe pedagogët, ku për disa nga pozicionet e punëve në arsim Shqipëria është në vendin e parë, dhe për disa të tjera lë pas disa vende të rajonit.
“Rritja e pagave për pedagogët tashmë është realitet. E filluam që në shtator me 15 %, ku 7 % paguhet menjëherë nga buxheti i shtetit dhe 8% nga të ardhurat e vetë institucionet e arsimit të lartë dhe në datën 1 prill u bë rritja e dytë 30%, ku 20% i mbulon buxheti i shtetit dhe 10% universitetet me të ardhurat e tyre” – u shpreh Kushi .
Për sa i përket mësuesve, ajo tha se pavarësisht vështirësive, ata kanë qenë vazhdimisht në fokus.
“Në mandatin e kaluar pagat për ta u rritën me 32%, ndërkohë që në këtë mandat në vitin e parë u rritën me 6%, këtë vit u rritën 7% dhe vitin e ardhshëm ne kemi parashikuar rritjen më të madhe ndonjëherë në vitet e fundit, që shkon në 36 apo 37%” , tha ministrja Kushi.
Ministrja theksoi se këto masa të marra mbi pagën, i bën mësuesit të jenë më të motivuar dhe me kokën lart, krenarë për pozicionin e tyre dinjitoz të punës dhe për pagën dinjitoze në raport me kolegët e tyre në rajon.