Kryeministri Edi Rama gjatë ditës së dytë të vizitës në Britani, është pritur në një takim nga Ministri i Jashtëm anglez, James Cleverly. Ky i fundit me anë të një postimi në rrjetin social Twitter ka shprehur angazhimin për çështjen e emigracionit. Sipas Ministrit Cleverly, sfidat nuk mund të zgjidhen vetëm.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria janë miq dhe aleatë. Sfidat me të cilat përballemi nuk mund të zgjidhen vetëm. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë së bashku për të trajtuar migracionin e paligjshëm dhe për të mbrojtur sigurinë e Evropës”, shkroi Cleverly.
Gjatë vizitës së tij në Londër, kryeministri Edi Rama është takuar me homologun britanik Rishi Sunak, ku diskutuan mbi çështjen e emigrantëve dhe luftën kundër rrjeteve kriminale. Po ashtu, ditën e djeshme (23 mars), kreu i qeverisë shqiptare është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle.
Në këtë takim, kreu i Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur keqardhjen për retorikën e përdorur nga politika britanike ndaj shqiptarëve. Ndërsa është nënvizuar domosdoshmëria e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale.

/rtsh.al/