Michelle Yeoh është aktorja e parë aziatike që merr çmimin Oscar, (mëse i merituar) për performancën e saj në versionet e panumërta të një gruaje ambicioze në filmin “Everything Everywhere All At Once”.
Fitorja e saj është një simbolikë mjaft e rëndësishme që tregon se ceremonia e çmimeve Oscars është e hapur edhe ndaj talenteve dhe kulturave të tjera. Michelle konkurronte me Andrea Riseborough, Cate Blanchett, Michelle Williams dhe Ana de Armas, kandidate mjaft të forta për të marrë çmimin.
Fjalimi i Michelle ishte i ëmbël dhe emocional: “Për të gjithë djemtë dhe vajzat e vogla që janë duke më parë në shtëpi, ky është një fener shprese dhe mundësish. Kjo është prova që ëndrrat bëhen realitet. E, gra, mos lejoni askënd që t’ju thotë se është shumë vonë!”, përfundoi ajo fjalimin.
Aktorja 60-vjeçare ia dedikoi çmimin mamasë së saj dhe më pas, të gjitha mamave në botë, sepse janë heroina. “Ajo është 84 vjeç (referuar mamasë së saj) dhe po e çoj këtë çmim tek ajo, në shtëpi”, tha Yeoh.
Njerëzit në internet thanë se kjo është një fitore historike. “Michelle Yeoh fitoi një Oscar, por në të vërtetë, çmimi Oscar fitoi Michelle Yeoh”, shkroi dikush në Twitter, duke vlerësuar kështu performancën fantastike të saj në “Everything Everywhere All At Once”.