Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka konfirmuar koalicionin me Sali Berishën, ndonëse ky i fundit rrezikon të mbetet jashtë zgjedhjeve të 14 Majit, pasi KQZ në vendimin e sotëm ka njohur dhe do të regjistrojë zyrtarisht Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën, pasi sipas ligjit, ai figuron ende si kryetar i partisë. Meta u shpreh se përmes opozitës së bashkuar, në zgjedhjet e 14 Majit do të çrrënjoset monizmi.
“Besoj se të gjithë e dinë dhe e mbajnë mend se ne kemi hedhur një firmë, kemi bërë një ceremoni ku jemi angazhuar solemnisht për të çrrënjosur monizmin përmes fitores së opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 14 majit dhe kthimin e këshillave bashkiakë në tribuna ku grupet e interesit do vijnë dhe do denoncojnë padrejtësitë”, tha Meta, tejsa shtoi se hapi i dytë pas fitores së opozitës së bashkuar do të jetë hartimi i një ligji që do të garantojë ushtrimin e së drejtës së referendumit. Kjo, sipas tij, do t’i jepte fund peng marrjes së shtetit.
Më tej, pyetur nëse në takimin që zhvilloi me Ambasadoren Amerikane, u ushtrua presion mbi koalicionin me Berishën, në një kohë që ky i fundit është shpallur “non grata” nga SHBA, Meta ka mohuar çdo pikëpyetje në lidhje me këtë çështje. Ai sqaroi se SHBA janë të interesuara për një opozitë të fuqishme dhe sistem funksional llogaridhënie.
“Marrëdhëniet e mia me SHBA janë të hapura dhe parimore. S’kam asnjë qëllim të ndikoj në vendimet e tyre që janë përgjegjësi e tyre. Kam marr vendimet e mia bazuar mbi parimet demokratike të Kushtetutës. Dhe vetë Kushtetuta na frymëzon, ajo amerikane. Asnjë lloj presioni, përkundrazi, kemi patur një bisedë tepër konstruktive. SHBA janë të interesuara për një opozitë sa më të fuqishme, që të funksionojë sistemi i llogaridhënies”, tha Meta.
/rtsh.al/