Ballina Lajme Mësuesi në Tepelenë akuzohet për ngacmim seksual, Kushi: Pezullim nga puna deri...

Mësuesi në Tepelenë akuzohet për ngacmim seksual, Kushi: Pezullim nga puna deri në përfundim të hetimeve

4

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar masën e pezullimit nga puna deri në përfundim të hetimeve për mësuesin i akuzuar për ngacmim seksual ndaj dy nxënësve në një shkollë në Tepelenë. Në reagim, Kushi thekson kjo masë qëndron në fuqi deri në zbardhjen e çështjes ndërsa shton se në rast të shpalljes fajtor, mësuesi përjashtohet përgjithmonë nga sistemi arsimor.

Teksa thotë se nxënës i është ofruar mbështetje si nga shërbimi psiko-social dhe gjithashtu nga drejtoria dhe stafi i shkollës, uron që drejtësia të zbardhë sa më shpejt çështjen në fjalë.  “Ne nuk do të lejojmë të punojë në institucionet tona arsimore askënd që cënon shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë”, thekson ministrja. 

Kemi ndjekur nga afër ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Tepelenë, ku një mësues është dhunuar, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre. Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë.

Besojmë fort se organet e drejtësisë do ta zbardhin shumë shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe do të marrin vendimet e duhura ligjore. Siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, qëndrimi ynë për këto raste është i prerë dhe nëse vërtetohet fajësia, krahas dënimit nga organet e drejtësisë, personat përgjegjës përjashtohen përgjithmonë nga sistemi arsimor.

Për këtë arsye, kemi përfshirë një nen të ri në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk do të lejojmë të punojë në institucionet tona arsimore askënd që cënon shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë”, shkruan Kushi.

59-vjeçari K.L.,mësues i lëndës së Fiskulturës nga Tepelena është ndaluar këtë të mërkurë nga Policia, pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse në shkollë ku ai jepete mësim. Dy ditë më parë ai u dhunua nga disa persona, njeri prej të cilëve vëllai i njërës prej të miturave, i cili është arrestuar.

/rtsh.al/